NGA SPARTAK KOKA*

TIRANË- Një i vdekur dhe tre të plagosur rëndë është bilanci i aksidenteve rrugore të ndodhura në kryeqytet gjatë ditës së enjte. Një 55-vjeçar ka ndërruar jetë pas aksidentit të ndodhur rreth orës 16:00 në rrugën lidhëze mes rrethrrotullimit të Saukut dhe pjesës jugore të unazës së madhe të Tiranës.

Gëzim Llënga i cili drejtonte mjetin tip “Benz” me targa  AA 366 AH , ka humbur kontrollin në rrethana ende të paqarta dhe ka rënë bashkë me mjet një lartësi prej 15 metrash, gjë e cila i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Për nxjerrjen e trupit nga makina është dashur ndërhyrja e shërbimit Zjarrfikës.

Në një tjetër aksident të ndodhur rreth orës 09 e 15 minuta të paradites dy këmbësorë, burrë e grua teksa kalonin rrugën janë marrë zvarrë për disa metra nga një automjet me Targë AA 788 JM në pronësi të shtetasit V. Lleshi 38 vjeç nga Mirdita, për pasojë kanë mbetur të plagosur rëndë A. Çelmeta dhe N. Çelmeta të cilët po marrin mjekimin e nevojshëm në spitalin e traumës.

Dëshmitarët në vendngjarje akuzojnë policinë dhe ambulancën për vonesë për ndihmën  ndaj të plagosurve. Këto pamje të siguruara nga Neës24 tregojnë pamundësinë e qytetarëve për t’u ardhur në ndihmë bashkëshortëve Çelmeta

Një aksident i tretë me pasojë plagosjen e një 17-vjeçari ka ndodhur në kilometrin e 8-të të rrugës dytësore të autostradës Tiranë-Durrës, pranë drejtorisë së Transportit Rrugor.  Automjeti Tip “Benz” me targë AA 030 HX me timon në krah të kundërt si pasojë e shpejtësisë së lartë është përplasur fillimisht me shtyllën e ndriçimit dhe më pas ka aksidentuar mjetin “Golf” ngjyrë e bardhë me targë TR 35 30 M.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: