KOSOVË

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kërkoi sot nga Ministria e Infrastrukturës që të jetë më e kujdesshme dhe të hetojë rastet e aksidenteve rrugore, të cilat për fat të keq kanë marrë shumë jetë njerëzish. Shefi i qeverisë kosovare tha se një ndër arsyet kryesore të aksideteve ka të bëjë me procesin se si pajisen qytetarët me lejen e drejtimit.

“Kërkojmë një hetim se çfarë është duke ndodhur. Ekziston mundësia që edhe marrja e patentë-shoferit në disa forma mund të jetë arsye për këto aksidente të shumta. Është urgjente kjo temë, të merren masat më shpejt. Unë nuk mund të shpreh ngushëllime çdo ditë, nuk është në rregull. Do të thotë hetoni, merrjani dikujt patentën, bëni minuse. Bëni diçka, se nuk është mirë, çdo ditë po ndodhin këto raste”, tha Haradinaj.

Si pasojë e aksidenteve në dy muajt e parë të këtij viti në Kosovë kanë humbur jetën 16 persona, ndërsa viktima të tjera janë shënuar edhe gjatë muajit mars.

(n.m/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: