NGA  IV KALOÇI*

Për herë të parë “Gazeta Shqiptare” publikon historinë e panjohur të katastrofës ajrore të 30 prillit 1938, kur avioni i linjës Tiranë-Brindizi-Romë, u rrëzua në afërsi të maleve të Formia-s (Maranola-s) në Itali. Të gjitha detajet e tragjedisë ku humbën jetën 19 persona, midis të cilëve dhe ministri Fuqiplotë i Shqipërisë në Itali, Xhaferr Vila, shefi i misionit arkeologjik italian në Shqipëri, Piero Marconi, gazetari i famshëm gjerman, Othuar Krainz dhe mjaft shtetas të tjerë të huaj, anglezë, amerikanë, gjermanë, grekë etj.

30 PRILL 1938, MISTERI I BIZHUTERIVE TË ZOGUT NË KATASTROFËN AJRORE TË MARNOLAS

Plot 77 vjet më parë, më 30 prill 1938, një avion i linjës ajrore Tiranë-Brindizi-Romë, në bordin e të cilit ishin imbarkuar si pasagjerë një sërë personalitetesh të larta shqiptarë dhe të huaj, teksa kishte lënë pas hapësirën mbi detin Adriatik dhe ishte ulur në Brindizi, gjatë udhëtimit për në Romë, u rrëzua në afërsi të maleve të Formias. Në këtë katastrofë ajrore nga më të rëndat të ndodhura deri më sot në të gjithë historinë e aviacionit civil shqiptaro-italian, nga një sërë burimesh të kohës, bëhej me dije, se përveç udhëtarëve VIP, “u varrosën” edhe dhuratat e bizhuteritë e famshme të martesës së Mbretit Zog dhe Mbretëreshës Geraldina Appony të sapomartuar. Sipas mjaft dëshmive burimore të kohës, këto veshje dhe bizhuteri të familjes mbretërore shqiptare, me urdhër të Mbretit, Zog-ut të Parë, u vendosën të transportoheshin drejt Tiranës nga Italia, Austria, dhe Franca dhe ku më pas do të ktheheshin dhe ambalazhoheshin sërish në magazinat e dyqanet e firmave më të shtrenjta dhe më prestigjioze të kohës si; ‘Chanel’, ‘Caraceni’, ‘Bulgari’, etj. Por siç vihet re në shtypin zyrtar shqiptar të kohës, ky fakt citohet minimalisht në kronikat e gazetave për shkak se Monarkia shqiptare i druhej një skandali të mundshëm mediatik, ashtu siç rëndom në atë periudhë, ishin përfshirë disa nga familjet më në zë të dinastive mbretërore europiane dhe botërore. Por ato që do të trumbetonin në mënyrë të bujshme krahas humbjes tragjike të jetëve, edhe faktin e vendndodhjes së dhuratave të dasmës së familjes mbretërore, do të ishin padyshim mediat e huaja dhe konkretisht prestigjiozet amerikane “Newsweek” dhe italiania “Corriere della Sera”. Gjithashtu, edhe nga policia italiane, gjatë ekspertizës së mbetjeve të avionit, në raportin zyrtar u deklaruan disa gjurmë të veshjeve dhe bizhuterive tepër luksoze dhe të shtrenjta për kohën, të cilat vinin të paketuara në mënyrë të veçantë, ndryshe nga bagazhet e zakonshme të pasagjerëve. Vetë mediat amerikane dhe italiane, të kohës e cilësojnë aksidentin ajror të Maranola-s, si një ndër më tragjikët, për vetë faktin se dhuratat e çmuara të dasmës së shumëpërfolur mbretërore, së bashku me disa nga personalitetet më të shquar të kohës, si ambasadori shqiptar në Itali, Xhaferr Vila, arkeologu i mirënjohur italian Pirro Marconi dhe korrespondentja amerikane e “Newsweek”-ut për Ballkanin, Helen Lindhheim, nuk do të mbërrinin kurrë në destinacionin përkatës…?! Më poshtë në këtë shkrim po japim disa pjesë nga gazetat shqiptare dhe të huaja që komentuan gjatë atë katastrofë ajrore.

Lajmi i pasqyruar në të përjavshmen amerikane “Newsweek”

“SHQIPËRIA: KËNAQËSI DHE DËSHPËRIM. FATKEQËSIA AJRORE SHËNON MARTESËN E ZOGUT ME GERALDINËN”
Abdikimi i Eduartit të V në dhjetor të vitit 1936, e la Mbretin Zog të I të shqiptarëve si beqarin e vetëm në Europë… Shqipëria festoi javën e shkuar me festime 3-ditore martesën e Mbretit Mysliman me Konteshën hungareze Katolike Appony. Dhuratat e Zogut për Mbretëreshën e tij, një kurorë diamantesh vendosur mbi kurorën shqiptare, një byzylyk, një varëse, u zgjodhën nga bizhuteritë e dërguara në Tiranë nga firmat e Parisit dhe Vjenës. Të shtunën, ai vendosi t’i kthente bizhuteritë që nuk i bleu, me vlerë 1.052.000 dollarësh me një avion. Avioni u përfshi nga furtuna dhe u përplas në Malin Maranola të Apenineve. Barinjtë gjetën trupat e 19 pasagjerëve, por pak gjurmë të bizhuterive. Diamantët dhe gurët e tjerë të çmuar u dogjën, platini dhe floriri u shkrinë. (Kthimi ishte i siguruar). Midis pasagjerëve fatkeqë ishte dhe ambasadori shqiptar në Itali, arkeologë të shquar, dhe korrespondentja amerikane, zonja Helen Lindheim.

Lajmi i pasqyruar në prestigjiozen “Corriere della Sera”

“GJAK, HARTA ARKEOLOGJIKE DHE VESHJE TË SHTRENJTA NË HUMNERAT E MARANOLA-S SË FORMIA-S”

Sot në paraditen e 30 prillit, një tragjedi e rëndë ajrore u shënua në Italinë Qendrore në masivin e Apenineve të Maranola-s. Avioni i Meda S.73 i Ala Littoria-s që midis pasagjerëve të rëndësishëm, transportonte edhe hartën arkeologjike të Shqipërisë si dhe dhuratat luksoze të dasmës së Mbretit Zog I të shqiptarëve befas u përplas në masivin shkëmbor të Maranola-s (Formia) duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të të gjithë pasagjerëve. Hollësira të tjera nuk dihen. Në orët në vijim do të bëhen publike dhe fakte të tjera.

TRAGJEDIA AJRORE QË “VARROSI” HARTËN ARKEOLOGJIKE TË SHQIPËRISË

Fatkeqësisht, tragjedi të tjera e kanë “nxirë” këtë udhë ajrore, por ndër më të rëndat shënohet ajo e 30 prillit të vitit 1938, kur avioni i linjës Tiranë-Brindizi-Romë, në bordin e të cilit, së bashku me ekuipazhin, udhëtonin plot 19 persona, u përplas me shkëmbinjtë dhe u rrëzua në afërsi të maleve të Formia-s, diku në mes të Napolit dhe Romës. Ndërmjet atyre personave që mbetën viktima të asaj katastrofe ajrore ishte dhe ministri Fuqiplotë i Shqipërisë në Itali, Xhaferr Vila, shefi i misionit arkeologjik italian në Shqipëri, profesor, Piero Marconi, gazetari i famshëm gjerman, Othuar Krainz, si dhe disa shtetas të tjerë të huaj, italianë, amerikanë, grekë, gjermanë etj. Por bashkë me humbjen e këtyre jetëve njerëzore, në atë aksident tragjik ndodhi edhe një katastrofë tjetër, ndoshta edhe më e madhe. Aty humbi dhe u “varros” përgjithmonë edhe harta arkeologjike e Shqipërisë, një pasuri e paçmueshme dhe e papërsëritshme, për të cilin profesori i famshëm italian kishte punuar për më shumë se një dekadë me radhë në vendin tonë. Përveç dr. Aleksandër Meksit, (ish-kryeministër i Shqipërisë në vitet 1992-1997), njërit prej arkeologëve dhe studiuesve më të njohur që ka punuar për vite me radhë pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, si dhe disa specialistëve të tjerë të njohur të arkeologjisë shqiptare, ajo gjë bëhet e ditur edhe nga një letër, që vetë Marconi, ia kishte dërguar pak ditë më parë një mikut të tij italian, ku e njoftonte për një zbulim të ri arkeologjik që kishte bërë në Shqipëri. Po si ndodhi katastrofa, në ç’kushte teknike ishte avioni i linjës Tiranë-Romë, përpara atij udhëtimi që mbeti dhe i fundit për të, në çfarë kushtesh atmosferike udhëtonte ai atë ditë, cilët ishin personat e tjerë që humbën jetën në atë tragjedi ajrore, si u përcoll ajo ngjarje e rëndë nga shteti shqiptar në atë kohë dhe qeveria italiane? Lidhur me këto, na njohin disa artikuj që i kemi shkëputur nga shtypi shqiptar i asaj kohe, i cili e pasqyroi gjerësisht atë ngjarje të hidhur, si dhe një editorial i shkruar nga Sterjo Spasse, ish-shkrimtari i njohur (i periudhës së realizmit socialist), i cili në vitet e Monarkisë së Zogut punonte si gazetar.

LAJMET E PASQYRUARA NË GAZETËN “DRITA” NË TIRANË

Një fatkeqësi e papritur aerore në Itali shkaktoi 19 viktima njerzore. Midis tyre Ministri Xhafer Vila dhe shum miq të çmuar të vendit t’onë.
“Si vetëtima u përhap në Tiranë qysh të Dielë në mesditë, lajmi i hidhur, se Trimotori “I Meda” S.73 i Ala Littoria-s, që u nis prej aerodromit të Tiranës të shtunën në mëngjez dhe i cili mrriti me kohë në Brindizi, i nisur prej atij qyteti në Romë, u shduk udhës. Trimotori që shërbente udhën e zakonshme postale aerore Tiranë-Brindizi-Romë, shpinte kësaj here me vehte Ministrin t’onë Xhafer Villa, shefin e Misjonit Arkeologjik Italian në Shqipëri, Profesor Piero Marconi; Konsullin e Nderit të Shqipërisë në Romë, Ermengildo Pugni; Sekretarin e Fashios së Durrësit, Giuseppe Crisulo, gazetarin e mirënjohur gjerman, Othmar Krainz dhe të tjerë udhëtarë. Aeropllani duheshe të mërrinte qysh të shtunën pasdite në Romë, por s’dukesh kurrkund. Ishte e sigurtë pra, se do të kishte ndodhur ndonjë fatkeqësi. Mas nisjes së Trimotorit nga Brindizi, moti ishte prishur dhe një mjegull e dendur kishte mbuluar malet mbi të cilat do të fluturonte “I-Meda”. Gjatë mbasdites së të dielës, deri vonë natën, e gjithë Tirana jetoi çaste plot dhimbje shpirtnore, duke pritur e duke gjyrmuar lajmet telegrafike sa më të hidhura që vinin prej Rome. Vonë natën u njoftua se Trimotori u gjend i dërrmuar në malet afër Formia-s dhe se të 14 udhëtarët bashkë me të 5 vetat e ekuipazhit, gjithsej 19 shpirt, midis të cilëve edhe Ministri Vila u gjetën të vdekur dhe të karbonizuar”.

SI NGJAU KATASTROFA

“Trimotori fluturoj nga Brindizi për në Romë duke qenë plotësisht në rregull nga ç’do pikëpamje. Pilotët e avionit, nga më të sprovuarit aviatorë italianë, avioni, një aparat perfekt, nga materiali më i mirë. Ndonëse koha pra kish filluar të prishej, avioni u nis dhe do ta përfundonte me sukses udhëtimin, po të mos ngjiste një fatalitet i keq, fatalitet nga ata që qëndrojnë përsipër fuqive dhe paravështrimeve të njeriut. Midis Napolit dhe Romës, avioni hasi në udhë një kohë shumë të keqe edhe mjegull të dendur. 120 km. larg Romës, në malet afër Formia-s nga shkaku i mjegullit të dendur, avioni u përpoq me një majë mali, u dërmua dhe u rrokullis. Në kohën e përpjekjes me shkëmbin, avioni u ndes. Nga shkaku i mjegullit askush nuk e kish parë katastrofën dhe as avionin duke fluturuar përmi ato vende. Shumë kohë më vonë disa barinj që kalonin andej, zbuluan mbeturinat e avionit dhe lajmëruan menjëherë autoritetet më të afërme. Të 19 udhëtarët u gjetën të gjithë të vdekur dhe pjesërisht të karbonizuar, aq sa me zor u bë identifikimi i tyre”.
“DRITA”, lajme telegrafike mbi katastrofën

KËTU PO BOTOJMË TELEGRAMET QË NA ERDHËN PREJ ROMËS NË LIDHJE ME KETË KATASTROFË AQ TË DHIMBSHME
Romë 1. (Ora 20.00).- Nuk ka qenë ende e mundun deri tani të merret as ma e vogla informatë rreth fatit t’aeroplanit që siguronte shërbimin e vijës Tiranë-Romë dhe që u prit më kot mbramë n’aeroportin e Littorias. Por, që tani duket e sigurtë se aeroplani mbi të cilin gjindeshin 19 veta, ka pësue një aksident të randë ndërmjet Brindizit dhe Romës, sepse nuk asht mësue as sot mbasdreke asgja mbi fatin e Ministrit të Shqipnisë në Romë, Xhafer Vila, që ndodhej n’atë aeroplan. Shërbimi kompetent nuk jep asnjë informatë rreth kësaj çashtje. Lajmi qarkullon se në aeroplan gjindeshin disa gazetarë italianë dhe të huaj.
Romë, 1 (20.10).-Në Legatën e Shqipnis mësohet se Xhafer Vila, Ministër i Shqipnis në Romë, ka gjetur vdekjen n’aksidentin e ndodhun aeroplanit të vijës Tiranë-Romë, ndër rrethe të Napolit.
Romë, 1 (20.30)- Aeroplani i vijës Tiranë-Romë ka ra në rrethana që ende nuk dihen, në luginën e Maranolas, fshat i vogël katër km. nga Formia, midis Romës dhe Napolit dhe ka marrë menjëherë zjarr. Pesë veta t’ekuipazhit dhe 14 udhëtarë kanë gjetun vdekjen. Trupat e karbonizuem të viktimave u mbartën në Shtëpinë e Fashios së Maranolas ku janë mbikqyrun prej fashistash. Mbeturinat e aeroplanit u gjetën vetëm sot mbasdreke. Midis viktimave numërohen; katër udhëtarë gjermanë, një ingliz, një amerikan, Ministri i Shqipnis në Romë, Xhafer Vila, një grek dhe një qytetar i qytetit të lirë të Dantzigut. Romë, 1 (21.00) – Simbas informatave të para, t’ardhuna në Romë, aksidenti i vijës Tiranë-Romë ka qenë shkaktue nga mjegulla. Aeroplani që ishte nisun në orën 11.30 u përpoq me një qip mali në një zonë të parrahur, që gjindet jo shumë larg nga Formia, dhe mori zjarr. Disa barinj i gjetnë, ma të parët, aty afër orës 15, mbeturinat e aeroplanit dhe trupat e karbonizuam të viktimave. Ata vajtën menjëherë në kambë na Maranola, katund ma i afërm, prej ku lajmi u dërgua në Formia. Trupat e viktimave u mbartnë sot mbasdreke në varrezat e Maranolas. Një kortezh personalitetesh aeronautikë të ardhur nga Roma dhe banorët e krahinës e pasuen karvanin e përmortëshëm. Pritën vendimet e familjeve për dispozimin e funeralit.
(vijon nesër)

 

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: