Aksidenti i dy të rinjve, Marcelino Polisi dhe Albano Dardha, rezultoi fatal për këtë të fundit. Por tani pas aksidentit familjarët e dy shokëve janë futur në konflikt. Familja Dardha akuzon të mbijetuarin njëkohësisht shoferin e automjetit me të cilin udhëtonin të rinjtë, Marcelino Polisi se ka qenë duke ecur me shpejtësi. Për këtë Marcelino rrezikon disa vite burg, dhe për momentin ndodhet në burgun e Rrogozhinës. Në emisionin “Me zemër të hapur” babai i Marcelinos rrufu momentet dramatike në spitalin ku u shtrua djali i dij pas aksidentit dhe se si e morën me barrelë nga spitali për ta çuar në burg. I ati i të akuzuarit, Arben Polisi tha se kërkon gjykimin e ekspertëve për të nxjerrë djalin e tij të pafajshëm, pasi sipas tij nuk ka qenë me shpejtësi por se aksidenti ka ndodhur për shkak të një defekti teknik në makinë.

Në atë moment e ëma e viktimës, Vjollca Butka në lidhje telefonike me studion e “Me zemër të hapur” tepër e indinjuar akuzonte shokun e djalit të saj duke thënë: “Vrau djalin tim, bënte sikur kishte dhimbje në spital. Mos të thotë se po ecte me 60-70 km/h sepse djali im kishte fluturuar shumë tutje. Me atë trup që kishte djali im nuk ka mundësi të fluturonte ashtu nëse do të ishin me 60-70 km/h. Jeni të pacipë”.

Pas kësaj në një lidhje telefonike nga burgu i Rrogozhinës, folën Marcelino dhe shoku i tij.  Sipas Armando Docajt, Marcelino në gjendjen që ishte nuk duhej të sillej në burg.

“Ishte komplet i fashuar nga koka te këmbët. E sollën dhe e lanë aty, nuk u kujdes më njeri për të, apo të pyeste se si është. Vetëm të paraburgosurit e kanë ndihmuar,” tha ai.

Më pas foli dhe vetë Marcelino, i cili drejtonte makinën jo në pronësi të tij në aksidentin që i mori jetën Albano Dardhës: “Tani jam mirë me shëndetin, por gjëndja psikologjike është shumë e keqe. I kam kërkuar takim me psikolog por nuk m’u ofrua. Vetëm qetësues kam marrë. Dua të them që zonja Vjollca kur ka pasur hall më ka marrë mua gjithmonë. Me shpejtësi nuk ishim. Nuk e di ç’i ndodhi makinës, nuk e kontrollova dot. Shërbimet e fundit nuk e di kur i janë bërë makinës, pasi makina ishte e babait të shokut tim”.

Në fund i ati i të burgosurit Marcelino Polisi bëri thirrje që drejtësia të vihet në vend.

(e.f/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb