DURRES- Ndonëse kanë kaluar gati 10 orë nga aksidenti që i mori jetën një këmbësori të rastësishëm në segmentin rrugor Shkozet-Plepa, në Mbikalimin e Shkozetit, ky i fundit nuk është identifikuar ende.

Në vendin ku u përplas, siç shihet edhe në videon e siguruar për “BalkanWeb” nga gazetarja Klodjana Haxhiaj ka pak gjurmë që të kujtojnë aksidentin. Automjeti që përplasi për vdekje një burrë rreth 55 vjeç, pak pas mesnate u largua nga vendngjarja. Policia po punon për identifikimin e viktimës, i cili dyshohet se po kalonte rrugën kur është përplasur për vdekje.

E ndërsa po punohet për identifikimin e tij, policia e Durrësit nuk ka asnjë të dhënë për shoferin që i mori jetën.

Njoftimi i policisë:
Më datë 11.01.2018, rreth orës 23:30, në segmentin rrugor Shkozet- Plepa, në Mbikalimin e Shkozetit një automjet ka aksidentuar një shtetas këmbësor, i cili ka ndërruar jetë, I paidentifikuar. Shtetasi I aksidentuar është I seksit mashkull, rreth 55 vjeç dhe rreth 1.70 cm I gjatë. Flokët I ka të prera shkurt dhe të thinjura. Ka të veshur një xhup ngjyrë të zezë, poshtë xhupit një pulovër ngjyrë blu dhe një këmishë ngjyrë blu me vija të zeza, pantallona ngjyrë të zezë dhe një palë atlete ngjyrë të zezë me taban ngjyrë të bardhë. Mjeti është larguar nga vendi i aksidentit. Po punohet për identifikimin e viktimës, gjetjen e mjetit dhe identifikimin e autorit të ngjarjes së mësipërme. Materialet I kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale ” Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe” Largimi nga vendi i aksidentit” parashikuar në nenet 290/3 dhe 273 të Kodit Penal.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb