TIRANE – Djali i ish-deputetit socialist Ndue Kola, që shkaktoi aksidentin mbrëmjen e djeshme në Kamëz, ku humbi jetën një punonjës policie, udhëtonte me automjetin e tij me 150 km/orë. Burime për “BalkanWeb”  bëjnë të ditur se 22-vjeçari Arnold Kola drejtonte në gjendje të dehur, makinën tip fuoristradë “Lexus” në afërsi të shkollës “Ibrahim Rugova” në Kamëz, kur ka përplasur furgonin e policisë, që patrullonte me 20 km/orë në anë të rrugës.

“Drejtuesi i mjetit tip “Lexus”, shtetasi Arnold Kola, ka rezultuar nën ndikimin e alkoolit në masën 0.57mg/l dhe 0.53 mg/l. ndaj këtij shtetasi është bërë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.”- thuhet ne njoftimin e policisë.

I riu ka tentuar të parakalojë furgonin, por për shkak të shpejtësisë ka humbur kontrollin e mjetit dhe është përplasur me mjetin e policisë, duke shkaktuar vdekjen e punonjësit të policisë, Ervin Haxhiaj dhe plagosjen e dy kolegëve të tij, Besmir Voji, dhe Ismail Hoxha.

Djali i ish-deputetit socialist nuk ka pësuar lëndime për shkak të hapjes së airbag-ut , dhe është shoqëruar në komisariatin e policisë.

Ndërkohë, policët e plagosur po marrin mjekim në spital, prej ku mësohet se gjendja shëndetësore e efektivit Ismail Hoxha është përmirësuar gjatë natës, ndërsa kolegu i tij Besmir Voji ndodhet në pavionin e Neurokirurgjisë, në gjendje të rëndë.

I GJOBITUR 18 HERË
Për policinë, Arnold Kola nuk është një emër i panjohur. Gazetarja Doriana Bezat raporton se djali i ish-deputetit edhe me parë është arrestuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe mbajtje të narkotikëve.

Rasti i fundit i arrestimit të tij ka ndodhur në mars të 2015-ës, kur efektivë të policisë rrugore e kanë arrestuar pasi drejtonte mjetin në gjendje të dehur. Në të dy rastet ai ka qëndruar vetëm 72 orë nën arrest e më pas gjykata e ka lënë nën masën detyrim paraqitje.

22-vjeçari Kola ishte skeduar si një drejtues mjeti problematik pasi vetëm në një vit është gjobitur 18 herë për shkelje të rënda të Kodit Rrugor si për shembull: tejkalim shpejtësie, parakalim i gabuar, përdorim i xhamave të zinj etj.

Rasti i aksidentit të së dielës është i ngjashëm me rastin e aksidentit të ndodhur në korrik në Tiranë në rrugën “Siri Kodra” ku u aksidentua për vdekje 37-vjeçarja Dhurata Prifti, nënë me dy fëmijët e saj. Autori i dyshuar i kësaj ngjarje 20 vjeçarin Andrea Memollari ashtu si Arnold Kola kishte qenë i arrestuar më parë nga policia për shkelje të rënda të Kodit Rrugor.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb