Nga SPARTAK KOKA*

TIRANË – Uarda Çota, 26-vjeçarja që mbrëmjen e 29 dhjetorit aksidentoi në kryeqytet familjen e ish-zv.ministrit të Brendshëm Avenir Peka, rrezikon të dënohet vetëm me 5 vjet burg. Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e arrestit burg, ndërsa e rimarrë në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore, Çota ka shprehur keqardhjen për aksidentin ku humbi jetën 11 vjeçari Rubin Peka.

Aktualisht, 26-vjeçarja nga Elbasani, pas vlerësimit si të ligjshëm të arrestit të flagrancë nga ana e Gjykatës së Tiranës, ndodhet në ambientet e burgut 302.

Uarda Çota drejtonte mjetin “Benz” me targë EN 07 XNR në gjendje të dehur, në masën 0.88 mg/litër, kur goditi mjetin “Chrysler” me targë AA200AR.

Akuza e ngritur nga Prokuroria është ajo e bazuar në nenin 290, “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” si dhe në nenin 291, “Drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur apo pa dëshmi.”

Në bazë të nenit 290, drejtuesja e mjetit, që ka shkaktuar vdekjen ose plagosjen e rëndë e disa personave, rrezikon të dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet.

Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se e arrestuara gjatë rimarrjes në pyetje ka shprehur keqardhjen për ngjarjen e ndodhur me bilanc tragjik. Ajo është shprehur se për shkak të gjendjes së alkolizuar dhe errrësirës në rrugë nuk ka patur mundësi të evidentonte mjetin “Chrysler”, të cilin e goditi në segmentin ku po ndërtohet Unaza e Madhe e kryeqytetit.

Mesditën e 31 dhjetorit, për ngjarjen u arrestuan edhe: Ismail Ahmeti, administrator në firmën “Triss“; Shpëtim Emiri, drejtues teknik i punimeve; Ylber Koçi, specialist teknik si dhe Gëzim Bimbli, administrator i firmës “Albegis&Co” për shkak të shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë.

Nga kryerja e hetimeve ka rezultuar se në vendgjarje nuk ka pasur sinjalistikë, ndërsa rruga ishte ende në ndërtim. Nga verifiket e mëtejshme ka rezultuar se punimet në këtë segment rrugor jnë kryer nga kompania “Triss”, e cila nuk ka realizuar sipas kushteve të përcaktuara në kontratë nga ARSH-ja për shoqërinë zbatuese të projektit.

Për sa më sipër, për 4 të arrestuarit janë konsumuar elementët e veprës penale të “shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë”, kryer në bashkëpunim.

Raportimi i ngjarjes

U bë arrestimi në flagrancë i shtetases Uarda Eduart Çota e datëlindjes 22.09.1988, banuese në rrugën “Komuna e Parisit”, me arsim të lartë, me lejedrejtimi me Nr.EL023626/00092 013667, grupi “B”, sepse më datën 29.12.2014, rreth orës 20.00, në rrugën “Unaza e Re”, ku kryqëzohet me rrugën “ Medar Shtylla”, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, me targë EN 07 XNR, në gjendje të dehur, në masën 0.88 mg/litër, ka goditur mjetin “Chrysler”, me targa AA200AR drejtuar nga Enkeleda Ylvi Peka, e datëlindjes 10.12.1977, banuese në Tiranë. Për pasojë ka gjetur vdekjen, shtetasi i mitur R. Avenir Peka i datëlindjes 21.10.2003, banues në Tiranë. Është dëmtuar shtetasi I.Avenir Peka, i datëlindjes 20.03.2006. Nenet 290 e 291 të K.Penal.

Neni 290
Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor
Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor, kur ka shkaktuar vdekjen, plagosjen e rëndë të një personi ose plagosjen e lehtë të disa personave, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet. Kur nga vepra penale është shkaktuar vdekja ose plagosja e rëndë e disa personave, dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet.

Neni 291
Drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur apo pa dëshmi
Drejtimi i automjeteve apo mjeteve të tjera të motorizuara ne gjendje të dehur apo pa dëshminë përkatëse të aftësisë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb