LIVORNO

Autoritetet italiane kanë zbuluar një sasi rekord kokaine në një anije me flamur portugez, që ishte nisur nga Spanja. Në kontenierët me kafe u zbuluan 582 pako me kokainë që në total kapin vleren e 130 milionë eurove.

Autoritetet italiane ishin vënë në dijeni të ngarkesës së dyshimtë, dhe e monitoruan anijen në det, por pritën që ajo t’u afrohej brigjeve të Livornos për të ndërhyrë, në mënyrë që të shmangej cdo tentativë për fshehjen e lëndës narkotike. Operacioni u drejtua nga kryeprokruori i Livornos Ettore Greco.

Hetimet zbuluan se kontenieri me kokainë ishte imbarkuar në anije nga një shoqëri nga Hondurasi. Pakot me kokainë ishin fshehur mes kafesë, me qëllim që qentë antidrogë të mos e ndjenin aromën.

Në përfundim të operacionit, përmes një reagimi në rrjetet sociale, ministri i Brendshem Matteo Salvini falenderoi autoritetet në emër të të gjithë italianëve.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb