KRUJE– Të gjitha kafshët që nuk janë matrikuluar do sekuestrohen. Po kështu do të sekuestrohen edhe ato automjete që nuk janë të certifikuara dhe të autorizuara për të kryer transportin e kafshëve. Këto masa do të zbatohen menjëherë, ndërsa sot dhjetëra specialistë të Ministrisë së Bujqësisë dhe Transporteve, si dhe forca policore nisën që në orët e para të mëngjesit në Tapizë të Krujës një aksion me tepër sensibilizues për ndërgjegjësimin e fermerëve.
Gjatë aksionit u verifikuan të gjithë lëvizjet e kafshëve të gjalla në këtë treg, regjistrimi i tyre, matrikulat, si dhe mjetet e transportit të tyre, nëse kishin autorizime.
Drejtori i Drejtorisë së Shërbimit Veterinar, Edi Fero, deklaroi se ky aksion do të vazhdojë në të gjitha qarqet e vendit, ndërkohë iu bëri thirrje fermerëve, që të mos ndërmarrin iniciativa për lëvizjen e kafshëve pa matrikull, pasi ato do të sekuestrohen.
“Iu bëj thirrje fermerëve, që të matrikulojnë çdo kafshë. Nëse gjenden të papërgatitur, pasi kjo gjë nuk u është kërkuar më parë, të drejtohen pranë Drejtorive të Bujqësisë në rrethet e tyre dhe të kërkojnë matrikulimin, gjë që po ecën edhe aktualisht me ritme të shpejta. Ndërkohë, transportuesit e kafshëve të mos lëvizin, nëse automjetet e tyre nuk janë të autorizuara e certifikuara nga specialistët për një shërbim të tillë. Ndërsa pronarët e tregjeve, privatë apo pushtet vendor, të marrim masa për përmirësimin e kushteve në to”, theksoi Fero.
Tregtarëve në tregun e Tapizës u është kontrolluar i gjithë dokumentacioni shoqërues i kafshëve, përfshirë edhe regjistrin e vaksinave të kafshëve për brucelozë, etj.
Nga kontrolli janë verifikuar disa raste të lëvizjes së kafshëve pa matrikull, të disa automjeteve të pacertifikuara për lëvizjen e tyre, fermerët janë paralajmëruar se nëse ky fenomen do jetë prezent dhe në ditët në vijim, kafshët dhe makinat do sekuestrohen. Detyra te posaçme i janë dhënë edhe pushtetit vendor, që të përmirësojë kushtet në tregjet e gjësë së gjallë.
(el.sp/BalkanWeb)
