Dy ditë para fillimit të vitit të ri shkollor, në të 24 njësitë administrative të kryeqytetit është ndërmarrë një aksion pastrimi, i mbështetur nga vullnetarë dhe qytetarë të Tiranës. Aksioni filloi në orën 8 të mëngjesit dhe po vijon në të gjitha njësitë administrative.
Qytetarë si dhe punonjësit e ndërmarrjeve të pastrimit të kryeqytetit kanë filluar largimin e inerteve, por edhe të mbetjeve të tjera të ngurta si mobilje, goma, hekurishte.
Ndërkohë që Veliaj u ka bërë thirrje të gjithë banorëve të japin kontributin e tyre që Tirana të jetë gjithmonë e pastër.
“Mirëmëngjesi grupi! Po ti ku do pastrosh sot? Dita e Pastrimit është një mundësi fantastike që vendin ta duam me vepra e jo veç me fjalë! Evropa mund të ketë në dorë negociatat e Tetorit, por një Tiranë evropiane të pastër e të rregullt, e kemi në dorë vetë! Forca!”, shkruan Veliaj.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar ambienteve rreth institucioneve arsimore të cilat do të hapin dyert këtë vit për rreth 66 mijë nxënës të kryeqytetit.
Një punë të mirë kanë bërë edhe administratorët e njësive bashkiake si dhe vullnetarët duke përmirësuar edhe jetesën e gjithë komunitetit.
zoti kryetar i bashkise ! Tirana duhet te jete evropiane cdo dite,nga ana e pastrimit.Ne shumicen e diteve tirana eshte e papaster, me plehra te grumbulluara mal neper kosha dhe me nje ere te keqe qe zgjat edhe pas heqejes se plehrave nga koshat.
Evropianizimi duhet te jete ne shpirt,sidomos te drejtuesve,pastaj vetvetiu ai perhapet dhe rrezatohet kudo