“Tirona naltmadhni”, është etiketimi që i bëjnë tifozët skuadrës bardheblu. 24 tituj kampionë të njohur zyrtarisht janë fituar ndër vite dhe me shumë kontribuues, në fushë apo në çdo drejtim, për këtë sukses që e ka bërë Tiranën të jetë skuadra më e titulluar në vend.

Vërtetë mbretëresha e titujve në futbollin shqiptar! Pasi vetë presidenti Refik Halili deklaroi se do të ketë aksionerë të rinj në klub dhe se aksionet e Bashkisë së Tiranës do të jenë në shitje, ishte ish-donatori Julian Morina që deklaroi për “Panorama Sport” se është i gatshëm të blejë këtë 34%.

dffd6

Dhe në këtë situatë të krijuar, lind pyetja: Po me donatorët dhe kontribuuesit e Së shkuarës çfarë do të ndodhë? Çfarë qasjeje do të ketë për atë çfarë kanë bërë dhe çfarë kanë dhënë në këtë klub, kur vetë bashkia të negociojë edhe shitjen e aseteve (stemës dhe pronave) që korrespondojnë me 34%?

LUTFI NURI Një ndër ish-presidentët dhe kontribuuesit në klubin 24 herë kampion është edhe Lutfi Nuri. “Panorama Sport” kontaktoi ekskluzivisht me njeriun që nuk e ka fshehur kurrë ndjesinë dhe lidhjen shpirtërore që ka me skuadrën kryeqytetase. “Çfarë të them unë për Tironën?”, shprehet ai fillimisht sapo pyetet për situatën te Tirana në lidhje me aksionet.

“Unë nuk kam çfarë të bëj më tepër tek ai klub, sepse çfarë kam pasur mundësi ia kam dhënë pa hile”, deklaron Nuri për “Panorama Sport”.

AKSIONET

Vetë presidenti Refik Halili deklaroi në fund të vitit 2018 se te Tirana do të afrohen aksionerë të rinj. Ndër të tjera, përmendi se përqindja e aksioneve të bashkisë do të jetë në shitje. Së fundmi, ishte Julian Morina, i cili për “Panorama Sport” deklaroi hapur dëshirën për të kërkuar zyrtarisht blerjen e përqindjes së aksioneve që zotëron bashkia. Lidhur me këtë, Nuri nuk kërkon që të përgjigjet, por përkundrazi, me finesën e një “tironsi babaxhan”, falënderon gjithkënd që ka dhënë nga vetja për klubin e tij të zemrës.

“Unë nuk paragjykoj askënd. Lut Nuri do të jetë shërbëtor i Tironës gjatë gjithë jetës. Për atë klub, që gjithkush ka dhënë jetën, i përulem me shpirt dhe me zemër, çdo njeriu pa dallim. Jam tifoz i këtij klubi dhe nuk kam për të kërkuar asnjëherë llogari për çfarë kam dhënë. As nuk kam për ta thënë ndonjëherë se çfarë i kam dhënë atij klubi ndër vite. Edhe kur kam qenë në vitet më të vështira”, vijon fjalën e tij Nuri, si për të treguar dashamirësinë që ka për klubin në raport me të gjithë kontributet që ka dhënë ndër vite.

NDARJA

I pyetur në lidhje me ndarjen e aksioneve, apo edhe me propozimin e Morinës dhe ku qëndron Nuri në raport me aksionet e klubit, ai përgjigjet: “Unë nuk kam çfarë të blej te Tirona. Kam dhënë jo vetëm unë, por shumë në atë klub. Zoti Morina gjithashtu. Halili ka dhënë dhe po jep. Metush Seferi ka pjesën e tij. Rahmetliu (i ndjeri) El Sajed po ashtu. Ama, edhe mua më takon një stol në atë tokë, në atë shtëpi.

tirana

Tani që është Riti (Refik Halili) në krye, kjo punë ka nevojë për tavolina, për takime, për bisedime dhe jo për ndarje, për inate, apo për të mbajtur mëri. Tirana është diçka e shenjtë dhe vetëm ne që e ndiejmë, dimë ta kuptojmë këtë gjë, ndaj unë bëj thirrje vetëm për durim dhe për bashkim”, shprehet Lufti Nuri.

PRESIDENTI

Nuri tregon hapur vlerësimin që ka për Halilin. “E kam thënë dhe e përsëris, pasi kush më njeh e di që nuk e them për kapital. Riti (Refik Halili) është bashkëvuajtës si unë. Ka dhënë dhe po jep për atë klub, ndaj nuk ka vend që t’i mohohet çfarë ka bërë. As atij dhe askujt. E kam thënë shpesh që e kam si vëlla, pasi e di se çfarë do të thotë të vuash në krye të atij klubi”, tregon ish-presidenti bardheblu.

Refik-halili

TIFOZËT

Çështje që kanë hapur jo pak herë plagë në këtë klub kanë qenë edhe tifozët dhe marrëdhënia e tyre konfliktuale me drejtuesit, sidomos në vitin e fundit. Mirëpo, Nuri, me natyrën e tij përbashkuese dhe me qëllimin për të shmangur konfliktet, ka edhe një thirrje për gjithkënd që e quan veten tifoz të Tiranës.

tirona fanatics

“Tifozët janë lulja më e bukur e kësaj shtëpie kaq të madhe dhe të vuajtur. Kurrë mos e tradhtoni! Kurrë mos e dorëzoni! Shkoni dhe mos paragjykoni askënd, pasi Tirona ka nevojë për ju. Klubi ka nevojë për ju dhe nuk është askush më i mirë sesa ju. Tirona është shtëpia e të gjithë tironasve dhe ne përulemi të gjithë para saj”, mbyll fjalën e tij Lufti Nuri, një nga ish-presidentët dhe donatorët e klubit 24 herë kampion.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: