KOSOVË

Partia LëvizjaVetëvendosja ka përshëndetur aksionin e ndërmarrë  sot nga Policia e Kosovës, ku krahas arrestimeve,  mbetën të plagosur edhe katër efektivë të Policisë.


Me një deklaratë për mediat, Vetëvendosje shprehet se Policia e Kosovës tregoi se ka kapacitet  dhe aftësi për të luftuar krimin, ndërsa bën thirrje që të arrestuarit të trajtohen sipas ligjit dhe t’u ruhet dinjiteti.


Deklarata e VV-së:

Kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës, Policia e Kosovës sot ka ndërmarrë një aksion të gjerë, përfshirë këtu pjesën veriore të vendit tonë. Kjo dëshmon se policia jonë ka mundësi, aftësi dhe kapacitete për të luftuar krimin, por përgjithësisht mungojnë urdhërat zyrtarë nga prokuroria dhe vullneti politik nga krerët institucionalë.Komunat në veri të Ibrit janë në Republikën e Kosovës sikurse të gjitha komunat e tjera. Sa më pak që zyrtarët e Serbisë flasin për çështjet e Kosovës aq më shumë paqe dhe siguri për të gjithë do të kemi.


Në anën tjetër, nuk duhet harruar se krim të organizuar e korrupsion të lartë nuk ka vetëm në veri por gjithandej vendit tonë. Edhe komunat në jug të Ibrit janë në shtetin tonë dhe askush nuk bën të jetë mbi ligjin apo jashtë tij. Të gjithë të arrestuarve duhet t’iu garantohet trajtim ligjor, në ruajtje të dinjitetit njerëzor, dhe, gjyqësi e drejtë, e paanshme dhe profesionale. Pjesëtarëve të plagosur të policisë sot, u dëshirojmë shërim të shpejtë dhe të plotë.

(n.m/BalkanWeb)