Zbulohet pasuria që ish-kreu i bandës së Durrësit Lulzim Berisha deklaroi pranë strukturës Forca e Ligjit, brenda afatit 48 orë që iu la në dispozicion nga Policia e Shtetit. News24 disponon dokumentin e firmosur nga ish-i dënuari dhe ajo çfarë bie në sy është fakti se i konsideruari si një ndër eksponentët kryesore të botës së krimit, nuk zotëron asnjë pronë të patundshme.

Të paktën kështu rezulton nga dokumentacioni që ai dorëzoi pranë strukturës së posacme hetimore, Operacioni Forca e Ligjit. Referuar deklaratës, rezulton se Lulzim Berisha i siguron burimet financiare nga një bar kafe, që ka në administrim me kontrate qiraje, firmosur me datë 5 janar 2018, si dhe nga ushtrimi i veprimtarisë së furnizimit me karburant për konsum të anijeve në port dhe tregtimin e gazoilit”.

Lulzim Berisha rezulton gjithashtu aksioner në masën 40 për qind të shoqërisë Rajan 2007, përmes së cilës furnizon anijet e peshkimit që operojnë në vijën bregdetare në vend. Ai thotë se karburantin për të furnizuar anijet e peshkimit, e siguron nga disa shoqëri të njohura hidrokarburesh në vend.

  • foto galeri

Një tjetër pasuri që deklaron Berisha, edhe edhe një automjet tip BMV, blerë në 2019 në vlerën 1 mln lekë. “Dua të theksoj se burimet e mia financiare janë të ligjshme dhe dokumentacionin përkatës ligjor për secilën pasuri dhe fitimin e ardhur prej bizneseve të mia e kam depozituar sot më datë 5 shkurt 2020 në drejtorinë e përgjithshmne të Policisë së Shtetit, departamenti i policisë kriminale, përpara oficerit të policisë Gjyqësore Arben Janaqi”, ka deklaruar Lulzim Berisha.

Ish-kreu i Bandës së Durrësit, është subjekti i parë që iu përgjigj thirrjes së policisë duke bërë deklarimin e pasurisë. Pas miratimit të një akti normativ nga qeveria, Operacioni Forca e Ligjit ka vendosur sekuestro mbi pasuritë e disa ish-të dënuarve apo personave të tjerë të cilët dyshohen për vepra të rënda kriminale.

Dosjet e sekuestrimit pritet t’i kalojnë për shqyrtim prokurorisë së posacme, ndërsa problemi më i madh që pritet të haset në praktikë, lidhet me faktin se pasuritë e pjesës më të madhe të bosëve të krimit, kanë kaluar ne sitën e institucioneve të drejtësisë, por në finale iu janë kthyer sërish mbrapsht

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb