Nga: ERJOLA JATA
TIRANE– Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj, bëri publike rezultatet e aksionit të koordinuar mbi tregun e karburanteve. Sipas tij, gjatë dhjetë ditëve të para janë kontrolluar mbi 122 subjekte nga të cilat 40 raste janë konstatuar me shkelje
që janë denoncuar për ndjekje penale dhe ndaj tyre ka nisur hetimi penal.

Sipas Ahmetajt, aksioni do të ketë reflektim në buxhetin e shtetit.

“Për periudhën nga 4-14 Maj, janë kontrolluar gjithsej 122 subjekte. Nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë janë vendosur gjoba nga 750 mijë lekë për 4 subjekte lidhur me problematikat e sasisë, instrumentet matës, mungesa e vulave, apo ato që në i referohemi si pompa joautomatike, pompa manuale të cilat janë bllokuar. Nga Inspektorati Qendror Teknik janë marrë deri më sot 150 monstra benzinë dhe gasoil, nga të cilat ato që janë kapur në shkelje të standardit në lidhje me squfurin dhe flakërimin por, edhe janë konstatuar rast i falsifikimit apo i manipulimit të produktit, janë mbajtur 10 akt- konstatime për shkelje në shmangie nga standardi dhe janë bllokuar 3 subjekte me depozitat”, tha ministri Ahmetaj.

Sipas ministrit Ahmetaj problematika që shoqëron tregun e karburanteve prej dy dekadash tashmë është prekur nga lëvizjet e fundit të institucioneve shtetërorë. Këto të fundit kanë vendosur të ndjekin penalisht 40 subjekte për mashtrim si dhe ka pasur arrestime në flagrancë.

“40 subjektet janë proceduar penalisht për fshehje të ardhurash; nga këto 5 janë denoncuar edhe për ruajtje, magazinim dhe tregtim të mallrave të kontrabandës, ndërsa 2 edhe për mashtrim me cilësinë; 6 pronarë, dhe/ose administrator janë arrestuar në flagrancë; 2 janë shpallur në kërkim; 26 janë në ndjekje të lirë;6 pika tregtimi zot rezultojnë të bllokuara nga krimi ekonomik”, u shpreh ministri.

Aksioni i cili do të vijojë dhe në ditët në vazhdim ka pasur një rritje të numrit të kuponave tatimorë me mbi 100 mijë më shumë këto 10 ditët e para të operacionit të hidrokarbureve.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb