Policia e Malit të Zi, në bashkëpunim me policinë shqiptare, ka finalizuar një operacion antikanabis, ku u sekuestruan 3 parcela me hashash.

Policia shqiptare ka publikuar pamjet nga aksioni në fjalë, ku morën pjesë dhe forcat RENEA.

NJOFTIMI I POLICISE
Konferencë e përbashkët për shtyp, ndërmjet Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Drejtorisë së Kufirit dhe Policisë së Malit të Zi, për finalizimin e një operacioni anticannabis, në kufirin mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Përshëndetje, jam sot këtu, bashkë me Drejtorin e Forcës Kombëtare të Sigurisë në DPPSH, Drejtorin Rajonal për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, dhe me homologët e Policisë së Malit të Zi, për të bërë publike rezultatet e operacionit të përbashkët të koduar “Bjeshkët”, kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Sot, më datë 25.07.2024, në orët e para të mëngjesit, pas një hetimi disajavor, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, në kushte të vështira operacionale, është zhvilluar dhe finalizuar operacioni policor kundër kultivimit të bimëve narkotike, në territorin e Malësisë së Madhe, njësia administrative Kelmend, fshati Selcë, në vendin e quajtur “Bjeshkët e Gërçes”, në afërsi të kufirit me Malin e Zi.

Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar të koduar “Territor i pastër”, nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Policinë e Malit të Zi, Forcën e Sigurisë Kombëtare dhe me Njësinë Speciale “RENEA”, u finalizua operacioni policor i koduar “Bjeshket”, gjatë të cilit u bë asgjësimi i 11 358 bimëve narkotike të dyshuara cannabis sativa, të kultivuara në 3 parcela, si dhe kapja në flagrancë e autorit të dyshuar të kultivimit të këtyre bimëve, shtetasit M. G., 28 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër.

Gjatë operacionit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pushkë dhjetëshe, me municion dhe 1 armë gjahu çifte që posedoheshin pa leje. Për finalizmin e këtij operacioni, në emër të Policisë së Shtetit, dua të falënderoj kolegët e Policisë së Malit të zi, për bashkëpunimin korrekt dhe profesional me shërbimet e Policisë shqiptare. Ky model bashkëpunimi tregon dhe një herë marrëdhëniet shumë të mira mes dy policive, si dhe besimin për të shkëmbyer çdo informacion në luftë ndaj krimit.

Gjithashtu, ju bëjmë me dije se nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, në funksion të këtij plani operacional, që nga muaji janar i vitit 2024, deri sot, janë asgjësuar 249 834bimë dhe fidanë cannabis sativa, si dhe janë evidentuar 242 raste të kultivimit, për të cilat janë referuar materialet për fillimin e procedimeve penale në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Në funksion të këtyre hetimeve që po kryhen nga DVP Shkodër, ne po koordinohemi dhe kemi një bashkëpunim shumë të mirë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe me Prokurorinë e Posaçme SPAK, për dokumentimin ligjor të aktivitetit kriminal të personave të përfshirë në këtë veprimtari. Fokusi i punës së strukturave të DVP Shkodër nuk është përqendruar vetëm tek asgjësimi i bimëve narkotike, por dhe te goditja e veprimtarive kriminale që kanë të bëjnë me shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe me trafikun e këtyre lëndëve.

Vlen të theksohet fakti se gjatë kësaj periudhe që ne po analizojmë janë goditur një sërë rastesh që kanë të bëjnë me shpërndarjen e lëndëve narkotike si cannabis sativa, çokollatë dhe drogave të forta. Po në funksion të këtij plani operacional, ne kemi marrë takim me të gjithë banorët e këtyre zonave, ku ka pasur informacione se do të ushtrohet kjo veprimtari kriminale dhe iu kemi bërë të qartë se kjo veprimtari nuk do të tolerohet nga ana jonë. Ne nuk do të ndalemi asnjë sekondë deri në asgjësimin e çdo bime narkotike të mbjellë në juridiksionin e qarkut Shkodër. Me këtë rast ftoj të gjithë komunitetin e mrekullueshëm të Shkodrës që të denoncojnë çdo rast të tentativave të kultivimit të bimëve narkotike, si dhe rastet e shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb