NGA ENRIK MEHMETI* VLORË- Të shumtë janë banorët në lagjen “Kushtrimi” në Vlorë, që do të mbeten të pastrehë pasi shteti t’ju shembë banesat. Një prej tyre është dhe një e moshuar invalide, e cila thotë se nuk ka ku të shkojë.
Gjysëm e paralizuar dhe me tumor në kokë, Fatime Zeneli me pensionin e saj prej 6000 lekësh të reja, përveç sëmundjes që duhet të përballojë, mban dhe 3 pjesëtarët e tjerë të familjes, të cilët janë pa punë. Banesa e saj është një prej banesave që do të shemben në lagjen “Kushtrimi”. Ajo apelon që shteti të zgjidhë çështjen e strehimit.

Ajo përfiton dy vite qira nga shteti, pasi banesa e saj është ende në proces legalizimi, por pyetja që ajo ngre është se ku do të shkojë më pas?
Prej sa kohësh jetoni në këtë lagje?
Jetoj prej më shumë se 45 vjetësh, kohë kur jam martuar. Në këtë shpi jam martuar, kam lindur fëmijë. Te kjo shtëpi më ka vdekur burri dhe një prej djemve (qan). Lekët që marr si pension nuk më dalin aq për ilaçe, por të paktën kishim një çati mbi kokë ndërsa tani nuk kemi asgjë më. Ku të shkoj pasi të mbroj qiraja…
Po dokumente të vjetra keni gjetur për banesën?
Kemi kërkuar por nuk kemi gjetur. Kunetërit që kishin shtëpinë në të njëjtën lagje i morën disa certifikatat ndërsa ne nuk kemi marr asgjë. Kjo është pasuria jonë e vetme. Ku të shkoj me tumor në kokë dhe e paralizuar më thoni.
Ju kanë thënë për ndonjë zgjidhje tjetër?
Asnjë zgjidhje. Vetëm qira 2 vjet. Ku të shkoj djali me nusen e me fëmijën? Le të më vrasin brenda, le ta shembin shtëpinë me mua brenda vetëm djali të pajiset me shtëpi.

Dita e dytë e shembjeve të banesave në lagjen “Kushtrimi” ka sjellë pakënaqësi edhe tek banorët e tjerë. Ata e konsiderojnë zgjidhjen e qeverisë absurde. IKMT ka shembur në ditën e dytë aksionit 50 banesa, duke i hapur rrugë projektit për ndërtimin e rrugës së re që lidh atë trans-ballkanike më autostradën.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: