TIRANE – Policia e Shtetit në bashkëpunim me OSHEE vijojnë punën në të gjithë vendin për evidentimin dhe vënien para drejtësisë të autorëve të vjedhjes së energjisë elektrike, si dhe për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë.
Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bëjnë të ditur se gjatë kësaj jave kanë vepruar në të gjithë vendin 100 grupe të përbashkëta Polici–OSHEE, të cilat kanë kryer kontrolle në 5.593 raste.
Sipas policisë, si rezultat i kontrolleve të kryera në terren në abonentët biznes dhe familjarë, janë evidentuar 23 raste të vjedhjes së energjisë elektrike me 23 autorë, ndër ta 2 faturistë dhe 1 elektriçist të OSHEE-së, për shpërdorim detyre. Nga këta janë arrestuar në flagrancë 9 persona, të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike. Janë shpallur në kërkim 6 persona, si dhe ndiqen në gjendje të lirë 8 persona, ndër ta 2 faturistë dhe 1 elektriçist të OSHEE-së.

Mësohet se gjatë kësaj jave janë ndërprerë 3.357 lidhje të abonentëve debitorë dhe 20 lidhje të paligjshme. Gjithashtu janë kontrolluar 121 kabina elektrike dhe abonentët që furnizohen nga këto kabina.
“Policia e Shtetit dhe OSHEE janë të vendosur ta çojnë deri në fund punën e nisur, deri në shkëputjen e fundit të lidhjeve të paligjshme, duke përballur me forcën e ligjit të gjithë ata persona, të cilët abuzojnë me energjinë elektrike, duke e vjedhur atë, qofshin këta përfaqësues biznesesh, individë, apo punonjës të vetë OSHEE-së.”- thuhet në njoftimin e policisë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb