NGA ENTON ABILEKAJ*

Ky i sotmi mund të ishte kongresi që do t’u jepte përgjigje problemeve të shumta që ka bartur
PS-ja në 7 vitet e fundit. Sigurisht, duke fi lluar me shkeljen e statutit. Shkelja u pranua nga kryetari i partisë. Në mbledhjen e asamblesë ai deklaroi se e ka shkelur statutin dhe premtoi se shkelja do të vazhdojë të paktën deri në humbjen më të parë të zgjedhjeve të përgjithshme. Këtë mund ta zgjidhte ky kongres!
Në 2009-ën, që ishte i fundit kongres zgjedhor, Rama nuk u quajt fajtor për humbjen e zgjedhjeve, se votat ishin vjedhur, u kërkua hapja e kutive, vendi u mbajt me bojkot parlamenti dhe protesta deri në 2013-ën. Në 2013-ën PS-ja mori të njëjtat vota, në 2015-ën mori akoma më pak. Kauza e kongresit të 2009-ës doli e pavërtetë, edhe justifikimi i Ramës për humbjen. Me rezultatet elektorale të tri palë zgjedhjeve, del që PS-ja edhe në 2009-ën ka marrë votat që i takonin, alibia e Ramës ka rënë, ai duhej të jepte edhe një herë dorëheqjen dhe shqiptarëve mund t’u kërkohej falje për 4 vitet e trazuara që bllokuan gjithçka dhe ndikuan për keq në jetën politike, sociale dhe ekonomike. Këtë mund ta bënte ky kongres! Partia Socialiste po akuzohet se u ka dhënë pushtet ekzekutiv dhe legjislativ të inkriminuarve, trafikantëve të femrave dhe të drogës, njerëzve me precedentë penalë që kanë ndërruar emrat për t’iu shmangur drejtësisë.
Ndryshime kushtetuese dhe akte ligjore e nënligjore, po bëhen për të shlyer këtë faj. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi, të inkriminuarit duhet të largohen pa e pritur zbatimin e ligjit dhe pa e nëpërkëmbur imazhin e partisë më të madhe. Këtë vendim mund ta merrte ky kongres! Në 30 muaj qeverisje, vendi është zhytur në dëshpërim të thellë, të ashtuquajturat reforma kanë dhënë rezultate negative në sektorët kyçë të ekonomisë, rënia e frikshme e inflacionit, ulja e punësimit, rritja e emigrimit, shtimi i protestave, humbja e shpresës dhe ringjallja e revoltës, janë pasoja të qeverisjes. Ky kongres mund të ishte një pikë reflektimi dhe kthese!
Anëtari i kryesisë, Ben Blushi, ka kërkuar që të gjitha këto të diskutohen sot, në sallë. Ai kërkon që kongresi të mos marrë vendime mbi ligjin, mbi statutin, por në zbatim të tij, të hapë garën për kryetarin e PS. Argumenti i fundit kundër ka mbetur morali politik i zgjedhjeve: shqiptarët kanë votuar Ramën për kryeministër; po fitoi Blushi, çfarë do të ndodhë me qeverinë dhe me votën e shqiptarëve? Kështu policia morale po dikton moszbatimin e ligjit. Kur ligji nuk përputhet me atë që ata quajnë të moralshme, nuk zbatohet.

Sot është koha për të kthyer kokën pas, për të parë, se që nga 2005-sa, ata që nuk e kanë kritikuar kryetarin nuk janë quajtur komplementarë, por kundërshtarë. Kryetari largoi të parin Petro Koçin se i doli kundër, pastaj Kastriot Islamin se i doli kundër, pastaj Andis Harasanin, pastaj Arben Malajn e Marko Bellon se i dolën kundër. Tani i ka dalë statuti kundër. Sot ka vendosur të largojë statutin. Socialistët sot zgjedhjen e parë nuk do ta kenë mes Blushit dhe kryetarit, por mes statutit dhe kryetarit. Nëse zgjedhin statutin, nuk do të thotë që e kanë hequr kryetarin, por i kanë dhënë atij mundësinë të hyjë në garë, të reflektojë dhe të mbrohet, të kontribuojë edhe ai për PS-në aq sa PS-ja ka kontribuar për të. Nëse zgjedhin kryetarin, ky do të jetë kongresi i fundit me diversitet.

Gjasat janë që të zgjidhet kryetari. Sepse në vend të reflektimit, është zgjedhur show për ngritjen e kultit të individit. Konferencat që marrin kohën e kryeministrit, ministrave, por edhe të mediave, promovojnë anëtarin e ri të partisë, promovojnë njeriun që zgjedh të anëtarësohet në partinë në pushtet, promovojnë “njeriun e ri” që përkrah reformat dhe është i privilegjuar për kryeministrin që ka. Kryeministri që në 2013- ën erdhi me premtimin e bashkimit të shqiptarëve, e qeverisjes për socialistët dhe demokratët, sot del në tribunat e partisë së tij për të përjashtuar, jo vetëm opozitën, por të gjithë kundërshtarët, të gjithë kritikët. Shprehjet: “Ata që nuk na duan të na marrin të keqen” apo “Qentë le të lehin, karvani të shkojë përpara”, të përdorura nga Enver Hoxha më parë, kanë qenë mesazhi përçarës i fushatës së anëtarësimeve të udhëhequr nga kryeministri. Kanë qenë komanda publike për evidentimin e miqve dhe armiqve. Prandaj kritikat sot do të priten me fërshëllima. Kundërshtia ndaj ligjit të dekriminalizimit ka qenë një tjetër pjesë e platformës që po e çon PS-në në kongres. 10 ditë me parë, kryeministri deklaroi në parlament se janë të gjithë njësoj kriminelë, se kriminalizimi është çështje e akuzave të opozitës, jo e veprave të disa deputetëve. Më parë e kishte bërë këtë avokati për të inkriminuarit në sallat e mbyllura të grupit parlamentar apo asamblesë së partisë. Mbrojtja e elementëve të inkriminuar, duket një ftesë publike për t’i rreshtuar në krahun e tij, por edhe një sfidë publike ndaj komunitetit ndërkombëtar, që me thirrje publike ka kërkuar largimin e kriminelëve nga zyrat e shtetit, madje refuzimin e votës për ta.

Sot vështirë se do të reflektohet për këtë. Kongresi i sotëm pritet të jetë akti i fundit i shndërrimit të PS-së në një parti autokratike. Një shtrëngim i radhëve duke i pakësuar ndjeshëm ato. Duke u mbyllur, duke injoruar dhe larguar kritikët, duke qesëndisur pritshmëritë për reflektim, do të krijohet një Parti Socialiste e re, që do të përfaqësojë Rilindjen, që e mori me koncesion në 2013-ën dhe që nuk do ta lëshojë, megjithëse kontrata ka mbaruar.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: