Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, gjatë mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, ku u diskutua Akti Normativ që i rikthen Profesionistëve të lirë paratë që iu morrën padrejtësisht nga taksa e vendosur nga Qeveria, që më pas u shpall anti-Kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese, e konsideroi një hap të vonuar.

Deputetja Jorida Tabaku, e cila ka propozuar pak javë më parë një propozim ligjor për rikthimin e këtyre parave, theksoi se sëbashku me Partinë Demokratike, ka luftuar për dy vite për të mbrojtur të drejtat e Profesionistëve të Lirë, duke kundërshtuar një taksë që, sipas saj, cenonte drejtësinë dhe barazinë. A

jo vuri në pah se mazhoranca dhe Ministria e Financave u përpoqën të shpërfillnin vendimin e Gjykatës Kushtetuese përmes zvarritjeve dhe shkresave të panevojshme.

“Akti Normativ është një hap i vonuar dhe vjen si rezultat i një vendimi të qartë të Gjykatës Kushtetuese, por edhe i presionit të një beteje të drejtë të Partisë Demokratike dhe Profesionistëve të Lirë. Ky vendim tregon se qeveria, ndonëse me vonesë, di të kthehet në binarët e ligjshmërisë,” u shpreh Tabaku.

Deputetja kritikoi gjithashtu sjelljen abuzive të qeverisë dhe Drejtorisë së Tatimeve, që vazhdoi të dërgonte njoftime dhe të mblidhte taksën e shpallur antikushtetuese, edhe pasi çështja po shqyrtohej nga Gjykata Kushtetuese. “Nëse kjo taksë e padrejtë nuk do të ishte mbledhur, sot nuk do të nevojitej një Akt Normativ për të korrigjuar tre gabime të qeverisë: së pari, vendosjen e taksës; së dyti, shpërfilljen e vendimit të Gjykatës; dhe së fundmi, zvarritjen e tij”, deklaroi ajo.

Në fjalën e saj, deputetja e PD, vuri theksin mbi rëndësinë e respektimit të vendimeve të institucioneve të pavarura dhe mbrojtjes së qytetarëve nga veprimet arbitrare të qeverisë. Ajo e cilësoi Aktin Normativ si një korrigjim minimal të një gabimi trefish të qeverisë: vendosjen e taksës së padrejtë, shpërfilljen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe zvarritjen e zbatimit të tij.

Tabaku dakordësoi me mendimet e deputetëve që në Aktin Normativ të përfshihet anulimi i të gjitha gjobave dhe kamatëvonesave të aplikuara ndaj Profesionistëve të Lirë. Ajo e konsideroi këtë një hap të domosdoshëm për të rikthyer dinjitetin e tyre dhe për të garantuar respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Ajo që ndodhi është një shembull i qartë i pabarazisë dhe pandershmërisë që qeveria përdor përmes ligjeve. Ligjet nuk mund të jenë barrë antikushtetuese për qytetarët”, tha Tabaku, duke vlerësuar qëndrimin e opozitës dhe bashkimin e Profesionistëve të Lirë në këtë betejë për drejtësi dhe barazi.

Ajo deklaroi se ndjehet krenare që kjo betejë 2-vjeçare që bashkoi edhe Profesionistët e Lirë me opozitën në një kauz mundi të përfundojë me sukses vetëm falë bashkimit në një qëllim të drejtë.

“Pabarazia dhe pandershmëria nuk mund të shpëtojnë pa u sfiduar në Gjykatën Kushtetuese, sepse një qeveri që përdor ligjet për të mbjellë pabarazi, nuk është qeveri e drejtë”, u shpreh Tabaku.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb