OSLO- Çmimi Nobel për Paqe shkon në duart e aktivistes pakistaneze, Malala Yousafzai. Malala e ndan këtë çmim dhe me aktivistin për të drejtat e fëmijëve Kailash Stayarthi nga India.

17 vjeçarja, bashkëfituese e Çmimit Nobel për Paqe për vitin 2014, ka deklaruar se dëshiron që të bëjë karrierë politike dhe një ditë të afërt të bëhet kryeministre e vendit të saj.

Shtatëmbëdhjetë vjeçarja Malala është qëlluar në kokë nga talibanët në vitin 2012 për shkak të fushatës për arsimimin e vajzave.

Çdo vit, fëmijë në Norvegji festojnë ndarjen e çmimit Nobel të Paqes duke organizuar një festë në qendrën e kryeqytetit në Oslo.

Festa bëhet nga fëmijët për fëmijët dhe mbështetet nga Save the Children Norvegji. Gjatë festës, fituesit e Çmimit Nobel për Paqen bisedojnë dhe i përgjigjen pyetjeve të fëmijëve.

Në këtë ditë historike për të drejtat e fëmijëve, Save the Children nxit fuqishëm qeveritë dhe komunitetin ndërkombëtar për të rritur në mënyrë drastike përpjekjet e tyre për të mbështetur të drejtën e çdo fëmije për arsim.

Qeveritë duhet të bëjnë gjithçka që është e mundur për të mbrojtur shkollat, mësuesit dhe nxënësit nga rreziku që shkaktohet nga situata konfliktesh dhe krizash.

Arsimi është një e drejtë themelore që sot u mohohet ende shumë fëmijëve në botë. 57.8 million fëmijë të moshës së ciklit fillor, nuk ndjekin shkollën. 28.5 milion prej tyre jetojnë në zonat e prekura nga konfliktet.
Pasojat negative tek fëmijët që nuk ndjekin shkollën janë afatgjata dhe të qëndrueshme, si edhe përbëjnë pengesa serioze për paqen dhe zhvillimin.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb