Në prag të nisjes së ndeshjes mes Shqipërisë dhe Ukrainës, ish-mbrojtësi i Kombëtares, Ervin Fakaj, ka analizuar rreshtimin me të cilin Shqipëria nis ndeshje dhe ka treguar këndvështrimin e tij për futbollistët e përzgjedhur nga Silvinjo në repartin e sulmit.
“Përveç repartit para, e gjithë pjesa tjetër ishte pak a shumë e parashikuar. Ajo që më lë pikëpyetje për hir të së vërtetës është Asani. Tre ditë më parë nuk arriti të përfundonte ndeshjen, doli nga fusha, di që nuk është stërvitur këto ditë. Më duket një vendim i guximshëm sot i trajnerit.
Ndërkohë, nga ana tjetër, duke pasur parasysh që kemi edhe lojtarë të tjerë, është pak thikë me dy presa se kur do i vijë rasti dikujt tjetër. Se secili pret momentin e caktuar, konkurrenti jot një ndeshje nuk e përfundon, ka ditë që nuk stërvitet dhe trajneri nuk ta jep përsëri besimin, është thikë me dy presa edhe për atë që pretendon. Uroj të jetë 100% e të bëjë atë që di të bëjë, të shënojë nga distanca.
Kemi Muçin, për të cilin diskutojmë shpesh. Unë them që fanella nuk falet, rrëmbehet. Sot është shansi për ta rrëmbyer, veshur e mos ta hequr më. Në Kombëtare nuk ke 10 shanse, nuk është si në ekip që ke ndeshje të diel, të mërkurë, do apo nuk do të vjen radha. Sot është momenti e ti duhet të japësh maksimumin. Kthehet Daku që për mendimin tim është një veprim logjik i trajnerit, duke pasur parasysh edhe mungesat, është alternativa kryesore”, tha Fakaj para ndeshjes.