Sot në emisionin Chic të moderatores Fjodora Fjora në News24 do të flasim për një komedi që ka pasur një sukses në teatër në javët e shkuara. Bëhet fjalë për një ‘Histori Antike’ e vënë në skenë nga regjisori Ervis Saliasi, një histori e shkruar në fund të viteve 80’ nga David Ivest.

Vepra flet për historinë e një çifti që përballet me pengesa të ndryshme shoqërore, me momente të cilat duhet të kalohen me sportivitet, dashuri, por nganjëherë dhe me shumë stërmundim. Janë pikërisht aktorët Ledion Zoi dhe Ilirda Bejleri që interpretojnë në këtë seksi komedi, nëse mund ta quajmë kështu. Në emisionin Chic vjen pikërisht Ledion Zoi, një prej aktorëve të kësaj shfaqjeje. Bëhet fjalë për një pjesë e cila për 1 orë e 20 minuta, mban të mbërthyer në skenë dy aktorë, në një lojë fjalësh, në një lojë ndjenjash dhe padyshim në një lojë mesazhesh të mëdha të cilat përpiqen t’i jepen rinisë së sotme.

Ky fundvit na ka gjetur me një shfaqje shumë të bukur që po korr sukses shumë të madh, siç është shfaqja ‘Histori Antike’.
Të kemi parë shpesh së fundi të angazhuar në vepra që nuk kërkojnë më shumë se dy aktorë. Përse pikërisht kjo zgjedhje? Vjen si nevojë që tregu ofron apo është një zgjedhje e jotja?

-Mendoj se janë shumë faktorë. Edhe komoditeti kur janë më pak aktorë, edhe nga pjesa. Këto vepra kur janë në çift mua më pëlqejnë më shumë, sepse i flasin drejtpërdrejtë njerëzve, marrëdhënies në çift, ku njeriu e prek çdo ditë atë që ai jeton. Dhe kur vijnë në teatër duke gjetur element që i përfaqësojnë bëhet më interesante dhe e pëlqyer nga publiku. Edhe infrastruktura, që sa më pak aktorë, aq më mirë e menaxhueshme është.

Si lindi ‘Histori Antike’, cfarë përfaqëson ky autor në lëmin e dramaturgjisë botërore?

-Ky projekt nisi rastësisht. Regjisori Ervin Saliasi, ishte asistent në një shfaqje përpara kësaj dhe më thotë, kam një vepër që e ka përkthyer një njeriu im, Eriona Saliasi dhe ka bërë një përshtatje shumë të mrië për teatrin shqiptar dhe Ervini më thotë merre lexoje se personazhi i kësaj vepre të përshtatet shumë. Mua më pëlqeu shumë vepra dhe pranova. Na u deshën gati dy muaj punë për ta realizuar, sepse është ajo marrëdhënia njerëzore që ti kërkon të krijosh.

Unë me Elirdën, aktoren kryesore, nuk njihesha personalisht, thjesht ajo e dinte që unë isha aktor, nuk kisha ndonjë afrimitet të madh dhe regjisori bëri atë që ndërthuri dy karaktere të kundërta që jemi unë dhe Elirda, gjeti ato elementet e përbashkët dhe ne e vumë në skenë.

Është në të vërtetë një shfaqje shumë impenjative për dy aktorë, të cilët për më shumë se një orë e një cerek, janë gjithë kohës në skenë, në marrëdhënie të vazhdueshme dhe shumë intensive mes tyre, si nga ana e tekstit, ashtu dhe nga ana fizike.

-Unë falënderoj partneren time në skenë, me të cilën nuk ceduam asnjëherë në skenë, pavarësisht intensitetit të veprës, ajo futi element të jetës së saj dhe unë të jetës time, duke dalë në një konkluzion të përbashkët.

Kjo është një vepër e shkruar për një publik mbi 18 vjeç, sepse është një vepër që flet për seksin, për marrëdhënien intime mes një çifti, e cila përballet dhe me gjykimet dhe paragjykimet, që shoqëria ngre ndaj këtyre dy individëve.

-Vepra është shkruar në fund të viteve 80’ dhe emndoj se këtu aktori ka shkruar për jetën private të tij. Ai ka pasur një zënkë me të dashurën dhe e ka shkruar, edhe më pas një tjetër zënkë dhe mendoj se kështu e ka ndërtuar ai këtë vepër. Shumë aktorë e ndërtojnë veprën e tyre me atë cfarë i ndodh gjatë ditës. Mendoj që edhe për Dvid Ivest ështëe njëjta gjë. Ai ka futur seksin në pjesën e tij, për shkak se personazhi im vuan nga një lloj depresioni, sepse ka pasur një marrëdhënie të dështuar.

Karakteri juaj është një karakter që pothuajse gjatë gjithë shfaqjes rri gjysmë i zhveshur dhe mendoj se ky është një hall më vete, duke pasur gjithë atë intensitet që ka ajo shfaqje.

-Në fillim kisha pak ftohtë, por më pas për shkak edhe të vrullit të shfaqjes u djersita. U përshtata ishte pjesë e shfaqjes.

Teksi i përdorur është një zhargon që brenda dhomës së gjumit është Ok, por në skenë, apo rrugë është pak e vështirë. Keni pasur problem me reagimin e publikut, a ishit koshient që po përdornit një gjuhë shumë të fortë dhe të drejtpërdrejtë?

-Ishim të vetëdijshëm, por nuk i mëshuam shumë kësaj, nuk menduam se do të ishte një problem. Ne e justifikonim me faktin se këta janë një çift brenda dhomës së gjumit dhe është brenda intimitetit të tyre dhe dalim tek ajo që çdo njeri në momente të caktuara e kalon atë pjesën e edukatës dhe po të shohësh edhe aktori se ka përdorur vend e pavend e ka përdorur vetëm në momente të caktuara, në momentet për shembull kur partnerja ja bënte borxh.

Si ishte puna e atyre këpucëve blu?

-Këpucët blu, fustani blu, simbolizon gjënë e shtrenjtë, nuk ka asnjë lidhje ngjyra, bluja simbolizon gjënë e shtrenjtë.

Në fakt një nga problemet më të mëdha të shoqërisë tonë është pikërisht kjo qasja që ka filluar të bëhet për shtresëzimin, për të krijuar një marrëdhënie nuk ka rëndësi ta duash dikë, por duhen edhe shtresat shoqërore.

-Po janë shumë faktorë, nuk ka më ndjenja, sot ne po dashurohemi me formën, mjafton të duket bukur, nuk merret më njeri me njeriun si qenie. Në duhet të mësojmë njerëzit si të sillen, si të jetojnë, gjithë komuniteti që e ka humbur këtë shpresë, ne duhet të fillojmë të punësojmë njerëz, të paguajmë njerëz për të mësuar të tjerët si të sillen, në komunitet.

Cili është mesazhi i kësaj shfaqjeje?

-Ne duhet të jemi më të vërtetë, më njerëzor, nuk duhet të merremi me çfarë tha miku, çfarë tha shoku, kolegu. Në qoftë se ti ndjehesh mirë me punën tënde, me jetën tënde, ke një marrëdhënie shumë të mirë, nuk ke nevojë të shtiresh, ose nëse nuk e ke mund të thuash që nuk e kam, nuk ke pse të shtiresh nëse diçka s’të pëlqen më, sepse nëse ti nuk ndjehesh mirë me atë që bën sigurisht që edhe ti nuk do jesh i lumtur, do fillosh të krijosh debate me njerëzit e tu dhe ata që janë prej teje, pra mesazhi i shfaqjes është të gjithë duhet të thotë të vërtetën, nuk duhet të jenë hipokrit.

Një bashkëpunim mes të rinjsh si ndiheni?

-Super, është një nga projektet e mia më të mira, kur ka të rinj çdo gjë është bukur, teatri është gjëja më e vërtetë që ka mbetur.

Jeni në mes të shfaqjeve, keni mbaruar një seri shfaqjes në Tiranë, do vazhdo edhe me qytetet e tjera?

-Besoj se shfaqja e radhës do të jetë në Elbasan, mund të vazhdojmë me Korçën, Fierit, jemi duke diskutuar për të ndarë datat, sepse kemi edhe festat, bashkitë kanë aktivitetet e tyre për vitin e ri dhe Krishtlindjet. Do të gjejmë një rrugë të mesme dhe shpresojmë ta realizojmë atë që duam.

Me përfundimin e këtij projekti, cili do të jetë hapi i radhës?

-Jam duke punuar për diçka tjetër, por besoj nga janari dhe shkurti mund të flasim sërish.

(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb