TIRANE – Besmir Bitraku, aktori që fshihej pas maskës së zezë të një “grabitësi” të ftuar në programin “Zonë e Lirë” mbrëmjen e së premtes, ka dhënë llogari në Polici të premten, pas emisionit. Teksa po largohej nga TV Klan, ai është përballur me disa agjentë policie, të cilët i kanë kërkuar të shkonte me ta për një verifikim në rajon. Aktori ka shpjeguar se bëhej fjalë për një inskenim të planifikuar, por kjo nuk e ka shpëtuar nga kryerja e disa veprimeve procedurale në organet e rendit. Nga ana e gazetarit Çani, personi i maskuar në studio u prezantua si një nga dy personat e armatosur që grabitën 130 mijë lekë në zyrat e shoqërisë së biznesmenit Neranxi, më 18 shkurt në autostradën Tiranë­Durrës. Prania e tij shkaktoi jo pak befasi te të pranishmit. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Bitraku rrëfen përse pranoi të luante këtë rol dhe orët e tij në Polici pas emisionit.
Së pari duam t’ju pyesim a ishte Besmir Bitraku personi i maskuar që u shfaq mbrëmjen e së premtes në programin “Zonë e Lirë”?
Po, unë isha personi që e interpretova atë karakter.
Si u bëtë pjesë e këtij inskenimi?
Jam kontaktuar nga Arjan Çani. Ai më kërkoi të inskenonim diçka që ishte në të mirë të komunitetit. Kjo ishte ideja. Qëllimi i atij fragmenti të emisionit, ku unë u bëra pjesë, ishte përmirësimi i legjislacionit, që të pengojë keqbërësit. Me pak fjalë, që grabitësit para se të nisen për të kryer një grabitje, të kenë më shumë frikë, ta mendojnë dy herë.
E keni fjalën për të përforcuar shqetësimin që ngriti në program biznesmeni, Nikollaq Neranxi?
Po, për të përforcuar atë kauzë. Ishte një skenar që ngrihej në të mirë të komunitetit. Unë ndaj pranova ta luaj atë rol. Të jem i sinqertë, nuk mendoja se do të bëhej kaq e madhe.
Pate mëdyshje për luajtjen e këtij karakteri?
Unë do të interpretoja një karakter të thjeshtë. Intervistën nuk e drejtoja unë. Intervista drejtohej nga Arjan Çani dhe unë vetëm jepja disa përgjigje shumë të shkurtra. Për të qenë i sinqertë, deri diku, por edhe për t’i bërë të ditur publikut, unë u përpoqa të jepja detaje që njerëzit të kuptonin që ishte një lojë. Ishte një inskenim, pasi nuk kërkova asgjë. Një person që shkon në një emision, shkon me qëllimin, kërkon diçka. Unë nuk kërkova asgjë. Thjesht iu përgjigja pyetjeve që më bëri drejtuesi i programit. Nuk është se ishte në interesin tim. Unë kur dola nga Çani, dola njëkohësisht me Neranxin dhe avokatin.
Çfarë ndodhi pasi u larguat nga studioja e “Zonë e Lirë”?
Aty ishte një automjet dhe disa persona civilë që m’u prezantuan si inspektorë krimesh. Më thanë që duhet të më shoqëronin për një verifikim në rajon.
Pranuat?
Sigurisht. Rrugës u thashë që nuk kam lidhje me grabitjen, se jam aktor (qesh). Unë dola pa maskë nga godina e “Klanit”. Unë nuk kisha pse bëja rezistencë. U tregova se kush isha. U dhashë kartën e identitetit.
Çfarë ndodhi më tej?
Shkuam te Drejtoria e Policisë. Aty erdhën dhe disa të tjerë. Dukej që ishin mobilizuar. Gjithçka më pas shkoi sipas procedurave që ata kanë. Më pyetën për gjithë situatën dhe rrethanat e krijuara. U tregova gjithçka. Në përfundim përpiluan dhe një deklaratë me fjalët e mia, të cilën e nënshkrova në fund.
Sa kohë zgjati qëndrimi juaj në ambientet e Drejtorisë së Policisë?
Besoj se rreth një orë e gjysmë. Kjo duke llogaritur edhe rrugën nga godina e “Klanit” deri te Drejtoria e Policisë. Ishin korrektë.
Ishte situatë e çlirët, me batuta?
Jo, policët ishin seriozë. Ishin të gjithë seriozë. Po bënin punën dhe donin ta çonin deri në fund procedurën e tyre, pavarësisht se e kuptuan dhe ishin krejtësisht të ndërgjegjshëm që unë nuk kisha lidhje me grabitjen dhe asnjë lidhje me skenarin. Madje, njëri nga ata djemtë, kam përshtypjen se duhet të ishte hetues, më tha “ti e pranove vetë që ishe njëri nga maskat”. “E pranoi karakteri, – i thashë – nuk e pranova unë”. “Po pse duhet të besoj ty?”, më pyeti. Po sepse tani nuk po përgjigjem për karakterin, por për fytyrën time. Mbi të gjitha ishin seriozë dhe korrektë. Nuk është se plasi gallata. Gjithçka kaloi mirë.
Çfarë reagimesh patët pas programit?
Kam pasur reagime nga më të ndryshmet. Komplimenti më i madh më erdhi nga Policia. Komplimente – më thanë­ pasi e kë bërë rolin shumë të besueshëm. Në Polici ishte gjithçka shumë korrekte. Ata u treguan shumë të sjellshëm.
Kthehemi edhe një herë te roli i grabitësit. Si u ndjetë nën maskë?
Nuk e mendova gjatë, pasi ishte një kohë e shkurtër. Ndihesh në pozicion të vështirë. Gjithsesi, unë ndaj u përpoqa të jepja detaje që edhe publiku të kuptonte që bëhej fjalë për një lojë. Madje, kur Çani më pyeti nëse do të flisja me Neranxin pas emisionit, unë iu përgjigja “nëse më gjen ndonjë punë, dakord”. Gjithçka e bëra për të shtendosur situatën.

(er.nu/panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: