TIRANE – “Nuk mund të vazhdojmë të jemi fuçi baruti dhe në shek. XXI”. Kështu shprehet mbi acarimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë, pas ndeshjes së kombëtareve të futbollit, aktori Reshat Arbana, i cili mes qindra rolesh ka mishëruar edhe atë të Isa Boletinit në filmin “Nëntori i dytë”. Ashtu si edhe miliona shqiptarë, edhe aktori Reshat Arbana e ka përjetuar me po aq emocion shfaqjen e flamurit me portretin e themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemali dhe luftëtarit Isa Boletini. Dhe po aq është revoltuar nga situata e krijuar në stadiumin “Partizani” në Beograd, nga dhuna dhe racizmi i treguar ndaj futbollistëve shqiptarë.

“Është absurde që në shek. XXI të ndodhin ngjarje të tilla dhe që fatkeqësisht Ballkani ende të konsiderohet si një fuçi baruti, që nuk gjen dot gjuhën e përbashkët. Ne shkojmë atje për të luajtur futboll dhe ca mendje të nxehta fusin në mes politikën dhe prishin gjithçka. Prishin edhe ato ura të mekëta bashkëpunimi që ne mendonim se ishin vendosur mes dy vendeve dhe që t’i ndërtosh sërish ato, nuk është aspak e lehtë. Nëse kanë mbetur ca mendje të kthjellëta t’u bëjnë thirrje ndërgj-egjeve të tyre dhe të shtrijnë dorën e miqësisë së mirë”, thotë aktori.

Vizita Ramës
Aktori i mirënjohur e ka ndjekur me vëmendje gjithë debatin e këtyre ditëve edhe mbi vizitën në Beograd të Kryeministrit Edi Rama. Edhe pse vizita e Kryeministrit shqiptar është shtyrë pas një muaji, aktori shqiptar pohon se qëndrimi për të zhvilluar vizitën në Serbi është e drejtë. Arbana thekson se kreu i qeverisë shqiptare nuk duhet ta anulojë vizitën në Beograd dhe se Shqipëria dhe Serbia nuk duhet të vazhdojnë të mbajnë urat ndezur. “Nuk ka pse të mos shkojë. Nuk duhet t’i mbajmë më urat ndezur, majë më majë”, thotë aktori.

Ndeshja
Sa i përket reagimit të futbollistëve shqiptarë në mbrojtje të flamurit që droni valëviti mbi fushën e sportit, ai u shpreh se “futbollistët e Kombëtares, si çdo shqiptar, e kanë treguar veten si patriotë të vërtetë”, por sipas tij nuk është koha për t’i rënë gjoksit. Arbana thekson se të gjithë donin të shikonin ndeshjen e bukur, por sipas tij në mes hyri ‘shejtani’ (politika) dhe prishi të gjithë situatën. “Sporti është një art dhe të gjithë ne donim që të shihnim një lojë të bukur, por hyn shejtani në mes, që e ka emrin politikë, dhe e shkatërron gjithë situatën”, thotë Arbana.

(er.nu/panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb