Aktorja amerikane Meryl Streep tha se “një ketër ka më shumë të drejta se një vajzë në Afganistan”, duke ngritur zërin e saj në thirrjen për t’i dhënë fund kufizimeve të rënda të qeverisë talebane në jetën e grave afgane, sipas “Independent”.

Autoritetet talebane kanë zbatuar një interpretim të ashpër të ligjit islamik që nga kthimi në pushtet në Afganistan në gusht 2021 pas tërheqjes së forcave të udhëhequra nga SHBA-ja.

Gratë dhe vajzat kanë mbajtur barrën e kufizimeve – duke përfshirë ndalimin e frekuentimit të parqeve publike, universiteteve dhe të kënduarit në publik – të cilat Kombet e Bashkuara e kanë etiketuar si “aparteid gjinor”.

“Një ketër ka më shumë të drejta se një vajzë në Afganistan sot – sepse Parqet publike janë mbyllur për gratë dhe vajzat nga talebanët”, tha dje Streep gjatë një diskutimi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në Nju Jork.

“Një zog mund të këndojë në Kabul, por një vajzë jo, dhe një grua mund të mos këndojë në publik”, tha fituesja e çmimit “Oscar”.

“Unë mendoj se komuniteti ndërkombëtar në tërësi, nëse ata bashkohen, mund të ndikojë në ndryshimin e Afganistanit dhe të ndalojë mbytjen e ngadaltë të gjysmës së popullsisë”, shtoi Streep.

Qeveria talebane, e cila ende nuk është njohur nga asnjë vend tjetër, shpalli një ligj të kritikuar gjerësisht në gusht – i cili shtrëngonte më tej kufizimet në jetën e grave.

Ndërsa shumë nga masat ishin zbatuar joformalisht – që nga marrja e pushtetit të talebanëve në vitin 2021 – kodifikimi i tyre zyrtar shkaktoi një protestë të komunitetit ndërkombëtar dhe grupeve të të drejtave të njeriut.

Ligji i “vesit dhe virtytit” dikton që zëri i gruas të mos ngrihet jashtë shtëpisë dhe që gratë të mos këndojnë apo lexojnë poezi me zë të lartë.

Ai kërkon që gratë të mbulojnë të gjithë trupin dhe fytyrën nëse duhet të largohen nga shtëpitë e tyre – gjë që duhet ta bëjnë vetëm “nga nevoja”.

Asila Wardak, një udhëheqëse e Forumit të Grave për Afganistanin, tha në diskutimin e OKB-së, se gratë afgane ishin atje për t’u kujtuar udhëheqësve botërorë se kjo luftë nuk ishte vetëm një luftë afgane, por një luftë globale kundër ekstremizmit.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres tha se diskriminimi ndaj grave po i shkaktonte dëme të mëdha Afganistanit.

“Edukimi i vajzave është një nga mënyrat më të shpejta për të nisur zhvillimin ekonomik dhe për të përmirësuar shëndetin, mirëqenien dhe prosperitetin e komuniteteve dhe shoqërive të tëra”, tha Guterres.

“Pjesëmarrja dhe udhëheqja e grave ka dëshmuar përfitime për paqen dhe sigurinë, mbrojtjen sociale, stabilitetin mjedisor dhe shumë të tjera”, tha ai.

“Afganistani përballet me sfida serioze në të gjitha këto fusha”, theksoi Guterres.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: