TIRANË- Një ndër ikonat dhe legjendat e ekranit shqiptar, aktorja e njohur dhe mjaft e dashur nga publiku Margarita Xhepa, feston sot 83 vjetorin e lindjes.
Artistja ka lindur me 2 prill të vitit 1932 në qytetin e Lushnjës.
Fillimet e saj dhe lidhjen me artin, Margarita e ka nisur rreth vitit 1950, duke nisur studimet në Liceun Artistik në degën e dramës, dhe duke u aktivizuar si artiste që në atë kohë në Teatrin Popullor, i cili sot njihet me emrin Teatri Kombëtar.
Margarita Xhepa, gjatë karrierës së saj ka shkëlqyer në çdo rol që ka pasur, si në teatër ashtu edhe në kinematografi, ku midis shkëlqimit të saj konstant mund të përmendim disa nga rolet më emocionuese dhe mjaft prekëse si zonja mëmë tek “Kush e solli Doruntinë”(teatër), Dafina tek “Lumi i vdekur”(teatër), Ofelia tek “Hamleti”(teatër), Mbretëresha Margaret tek “Rikardi i III”(teatër), apo edhe në titujt e filmave si “Dimri i Fundit”, “Tokë e Përgjakur”, “Koncert në vitin 1936”, “Apasionata”, “Vitet e pritjes”, e plot të tjerë.
Ky 83 vjetor, e gjen artisten Xhepa me një karrierë të shkëlqyer dhe mjaft të pasur, ku me suksesin e arritur numëron mbi 150 role në teatër, dhe po mbi 32 në kinematografi.
(ma.ar/BalkanWeb)