Në kuadër të planit vjetor të inspektimeve, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka vijuar kontrollet për zbatimin e ligjshmërisë duke gjobitur me 2.2 milion lekë dhe pezullim aktiviteti për sipërmarrësin italian, i cili prej 7 vitesh ushtronte pa licencë aktivitetin e tij.

Drejtoria Rajonale e AKU Tiranë, pas indicios të marrë “denoncim nga një grup banorësh në zonën e Kodrës së Diellit”, ushtroi kontroll në subjektin”Gioacchino Raia”me aktivitet “Tregtim dhe prodhim të produkteve të brumit” dhe përfaqësues ligjor shtetasin italian Gioacchino Raia.

Kontrolli i kryer evidentoi se subjekti inspektohej për herë të parë sepse nuk ekzistonte në asnjë regjistër të AKU. Aktiviteti zhvillohej përgjithësisht në përputhje me ligjin; si dhe përfundoj duke dhënë masën administrative “Paralajmërim”.

Në kushtet kur subjekti inspektohej për herë të parë, 7 vjet që operonte në treg në kushte informale dhe kur pretendimet objekt denoncimi nga banorët nuk u konstatuan, DRAKU Tiranë ndërmori Ri-Inspektim të subjektit. Nga ri-inspektimit rezultoi se subjekti ushtronte aktivitetin i papajisur me licencën përkatëse. Ai tregtonte produkte të paetiketuara dhe të pa notifikuara si dhe nuk zbatonte sistemin e vetëkontrollit.

Për shkeljet ligjore të konstatuara, trupa ri-inspektuese vendosi ndaj subjektit: 3 masa administrative “Gjobë” në vlerën totale 2,200,000 lekë, si dhe “Pezullimin e aktivitetit” në mënyrë të menjëhershme, deri në plotësimin e kërkesave ligjore dhe licencimin.

Me qëllim trajtimin rigoroz të shqetësimeve të qytetarëve, por edhe garantimin e një procesi të rregullt administrativ për operatorin e biznesit, të dy praktikat e inspektimit do të jenë objekt hetimi administrativ nga struktura përgjegjëse të Drejtorisë së Përgjithshme të AKU.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit inkurajon të gjithë konsumatorët që të bashkëpunojnë duke denoncuar çdo rast shkelje apo abuzimi, duke kontribuar kështu në përmirësimin e mëtejshëm të Sigurisë Ushqimore në vend.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: