Ministria e jashtme greke financonte me fonde sekrete media dhe gazetarë në Shqipëri “për të siguruar publikime pozitive rreth Greqisë, për krijimin e lobit të gazetarëve shqiptarë ne vend, si dhe që kokat e medias të mbështesin interesat e Greqisë”. Ky është botimi “bombë” që bën gazetari grek Dhimitris Takis në gazetën elektronike iefimerida.gr.

Po sipas gazetës, me këtë fakt ka lidhje edhe debati i ashpër mes Panos Kamenos ministër i Mbrojtjes dhe Nikos Kotzias tashmë ish-ministër i Jashtëm, në mbledhjen e këshillit ministror pak ditë më parë, debat që shkaktoi dorëheqjen e ministrit Kotzias.

Sipas “Iefimerida”, një javë para këtij debati, në 10 tetor, e Mërkurë, ka kaluar për miratim në parlamentin grek dokumenti i klasifikuar sekret me tre kode. Shuma e përgjithshme e fondit thuajse 1 milion Euro, ishte ndarë për pagesa në median në Shqipëri dhe për median ne Maqedoni, ndërsa një fond tjetër për mbështetjen e kishave ortodokse e Ortodoksisë në përgjithësi.

Për sa iu përket shumave për median në Shqipëri, në reportazh theksohet se deputetëve iu dha shpjegimi: “për të siguruar publikime pozitive për imazhin e Greqisë e krijimin e lobit të gazetarëve shqiptarë ne vend, si dhe kokat e medias të mbështesin interesat e Greqisë”.

Ministria e Jashtme e Greqisë nuk ka përcaktuar se ku konkretisht janë shpërndarë këto para ne Shqipëri. Ndërkaq, si kryetari i parlamentit grek ashtu dhe kryeministria greke kanë reaguar kundër reportazhit, duke u referuar secila palë në transparencën e punës së Kotzias dhe te drejtës së fondeve sekrete, por nuk kanë mundur te përgënjeshtrojnë dokumentin konkret dhe fondin e investuar për mediat. Debati Kamenos-Kotzias, nisur nga ky i fundit, ka nxjerrë në pah dhe akuzën e Kamenos, se janë dhënë 45 milionë Euro nga fondacioni Soros për mbylljen e marrëveshjes së Prespës.

Ka qenë pikërisht kjo akuze dhe reagimi neutral i kryeministrit Tsipras që shkaktuan nervozizëm tek ministri Kotzias, i cili e konsideron shpifje dhe sulm politik. Së fundi, ministri Kamenos ka akuzuar hapur dhe gazetën “Efimerida ton syntakton” për propagandë me fonde të Soros.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb