Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka akuzuar Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi se ka sponsorizuar shkrime kundër kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Në një deklaratë të fortë në faqen e tij zyrtare në Facebook, Ahmeti thotë se Thaçi urdhëronte këshilltarët e tij, që të shkruanin kundër takimeve të Ramës dhe kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ai i ul tërësisht vlerat presidentit kosovar, dikur komandant i UÇK, duke thënë se pa bashkëpunimin me serbët do të ishte veç një i akuzuar nga Gjykata Speciale.

“Hashim Thaçi është relevant para faktorit ndërkombëtar vetëm kur bën koncesione ndaj Serbise. Ai e di që pa Serbinë, pa pllaka përkujtimore, pa kisha e pa takime me Vucicin mbetet vetem i akuzuar potencial në Gjykatën Speciale. Si nënshkrues i demarkacionit tokëfalës, dhe premtues e nënshkrues i asociacionit tokëndarës, Thaçi krijon tema të tilla si kjo më poshtë, ku mund të duket i moderuar dhe relevant në Ballkan. Për këtë arsye këshilltaret e tij shkruajnë artikuj kundër Rames dhe takimeve me Vucicin sepse frigohet që dikush ja zë vendin tek koncesionet. Kosova do të mbetet edhe pas Thacit edhe pas gjithë neve. Nuk duhet lejuar që ky njeri dhe ekzistenca e tij të na lërë pasoja për shtetin tonë”, shkruan Ahmeti.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: