Gjykata pushon procedimin penal të bërë nga Taulant Balla për kallëzim të rremë ndaj kreut të PD Lulzim Basha, gazetarit Basir Çollaku dhe oficerit të policisë,  Emiljano Nuhu për çështjen e Xhisiela Malokut. Ka qenë kërkesë e Prokurorisë për të pushuar çështjen dhe gjykata ka miratuar pretendimin e akuzës. Vendimi është marrë me 18 shtator dhe tani ka marrë formë të prerë.


Më 27 shtator të vitit të kaluar, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla depozitoi në Prokurori kallëzimin penal për kreun e PD, Lulzim Basha, për veprën penale ‘shpërdorim detyre’ dhe ‘kallëzim të rremë’. Kallëzimi erdhi pas denoncimit të ish-oficerit të Krujës Emiljano Nuhu, i cili pretendonte se është kërcënuar me armë për të mbyllur dosjen e djalit të deputetit të PS-së, Rrahman Rrahja, në prani të deputetit Taulant Balla. Djali i deputetit Rrahja, Rexhep Rrahja akuzohej nga Xhisiela Maloku se e kishte dhunuar por oficeri Nuhu në një letër publike drejtuar Presidentit, kryeministrit dhe Prokurorisë, si dhe në intervistat televizive deklaroi se Taulant Balla ka qenë i pranishëm në momentin kur familjarë të deputetit socialist i kanë vendosur në kokë pistoletën me qëllim ndalimin e arrestimit të të akuzuarit.


Gjithashtu Balla kallëzoi penalisht edhe ish-oficerin Nuhu për ‘kallëzim të rremë’ si dhe gazetarin Basir Çollaku që realizoi intervistën.


Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb