TIRANE- Policia e Tiranës ka ndaluar sot sekretaren e Fakultetit të Shkencave Sociale të Tiranës, e cila akuzohet për “Shpërdorim detyre” kryer në bashkëpunim dhe “Korrupsioni pasiv në sektorin privat”.

Ndalimi i Majlinda Tafajt, 40 vjeçe, është bërë pasi dy ditë më parë në emisionin investigativ “Stop” janë transmetuar pamje filmike (audio-video) të regjistruar në ambientet e qendrës “International Studies Insitute” në Tiranë ku një shtetase që nuk ka fare njohuri në gjuhën angleze, nëpërmjet ndihmës së asistenteve dhe pedagogëve kundrejt pagesës, realizon testin dhe në fund siguron certifikatën e njohjes së kësaj gjuhe që përdoret si kriter pranimi në programet e studimit të Ciklit të Dytë dhe të Tretë në institucionet për Arsimin e Lartë.

Rezulton, se personat e përfshirë në veprime të jashtëligjshme, korruptive janë shtetasit: L.M, me detyrë administrator i qendrës “Esol Examinations BULATS” dhe Tafaj. Ditën e sotme, Tafaj është kapur në flagrancë në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas në përpjekje për tu larguar jashtë vendit dhe ka vetdeklaruar se ka bashkëpunuar me shtetasi L.M,. dhe ka marrë prej tij vlera monetare (euro) si shpërblim, përfitim personal për studentë që i ka rekomanduar dhe janë pajisur me certifikatë të “Esol Examinations BULATS”.

Sakaq, po punohet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet proceduriale janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim dhe “Korrupsioni pasiv në sektorin privat”.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: