Një gjykatë ruse dënoi dy të pandehur me tre vjet e gjysmë burgim pasi i shpalli fajtorë për komplot ndaj sabotimi të një hekurudhe në një zonë në kufi me Ukrainën. Kështu raportojnë sot mediat për dënimet e para për sabotim që nga fillimi i pushtimit rus.

“Veprime të tilla do të çonin në një dalje nga shinat, dëmtim të pajisjeve ushtarake dhe hekurudhore, viktima midis rekrutëve,” raportoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS, duke cituar një deklaratë nga një burim i paidentifikuar në Gjykatën e Qarkut Belgorod. TASS përmendi emrat e dy të dënuarve, por nuk dha detaje të tjera rreth tyre. Dënimet e tyre janë të parat të bazuara në nenin 231 të Kodit Penal Rus mbi Sabotazhin që nga fillimi i asaj që Rusia e quan “operacioni i saj special ushtarak” në Ukrainë, raportoi agjencia.

Sipas Ministrisë Britanike të Mbrojtjes, një sërë incidentesh sabotimi kundër hekurudhave ruse dhe objekteve të tjera kanë ndodhur, kryesisht në rajonet në kufi me Ukrainën, si Belgorod dhe Bryansk. Ministria tha në një raport në tetor se forcat e armatosura ruse mbështeten kryesisht në transportin hekurudhor, i cili shpesh kalon nëpër zona të izoluara, që do të thotë se “sistemi është shumë i vështirë për t’u siguruar nga kërcënimet”.

Alexander Bastrykin, kreu i Komitetit Hetues të Rusisë, i tha TASS në një intervistë dje, se më shumë se 150 hetime penale kanë nisur në lidhje me deklaratat që shpifin kundër ushtrisë ruse.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb