TIRANË

Daniel Drobaj, 18-vjeçari i akuzuar se ditën e protestës plagosi efektiven e forcave “Shqiponja” Ina Nuka me kapsollë do të qëndrojë në burg. Kështu ka vendosur sot Gjykata e Tiranës e cila ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj tij duke pranuar kërkesën e prokurorisë.

Në seancë 18-vjeçari nga kafazi i xhamit ka treguar dorën e djathtë të fashuar. I riu pretendon se policia i ka thyer gishtat si hakmarrje për gjymtimin e polices në dorë.

Drobaj ka deklaruar se ka protestuar për shtëpinë ku banon që 4 vjeç. Ai i ka paraqitur dëftesën e shkollës së mesme gjykatësit ku rezultonte me mesatare gati 10. Aktualisht Danieli ndjek studimet e larta për inxhinieri ndërtimi por nëse dhe Apeli, ku pala mbrojtëse do kundërshtojë vendimin e sotëm vendos për ta lënë në Burg, 18-vjeçari duhet të ndërpresë studimet.

Danieli
Danieli

18-vjeçari që u arrestua më 23 nëntor, një ditë pas protestës para parlamentit ka mohuar kategorikisht se ka qenë ai që hodhi kapsollën që plagosi rëndë policen.

Ai tha se kishte marrë pjesë në protestë ndërsa pohoi se nuk kishte përdorur sende të kundraligjshme.

Daniel Drobaj
Daniel Drobaj

“Theksoj se kam pasur vetëm tre kapsolla të cilat i kam ndezur dhe i kam hedhur në drejtim të llamarinave që rrethojnë namazjan që po ndërtohet. Ka pasur një moment që disa punonjës të policisë kanë dashur të më ndalonin në protestën e mësipërme dhe unë nuk kam pranuar të më fusnin në makinë duke e konsideruar veprimin e tyre të padrejtë. Ndërkohë mes nesh kanë ndërhyrë disa persona të tjerë dhe vetëm e kam gjendur veten në turmë dhe kam ikur me vrap. Rreth orës 19:30 të datës 23.11.2018 ka ardhur babai im, shtetasi Viktor Drobaj dhe pasi ka biseduar me avokatin jemi nisur për t’u dorëzuar në Komisariatin e Policisë nr.3, sa jam larguar nga banesa që unë kisha qëndruar, kanë ardhur forcat e policisë më kanë vënë pistoletën në kokë duke m’u prezantuar si punonjës policie pasi më kanë futur në makinë kanë ushtruar dhunë ndaj meje në të gjitha format dhe duke më sharë gjatë gjithë rrugës deri kur kemi përfunduar në Drejtorinë e Policisë Tiranë. Në ambientet e Drejtorisë Tiranë sjelljet kanë qenë korrekte dhe nuk është ushtruar asnjë dhunë”, thuhej në dëshminë e tij në polici të zbardhur nga “BalkanWeb”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb