TIRANË

Kryedemokrati Lulzim Basha kaë dalë në një komunikim të jashtëzakonshëm për mediat për të mbajtur një qëndrim pas publikimit të përgjimeve në “Bild” për skemën e manipulimit qeveritar dhe blerjes së zgjedhjeve.


Ai tha se do duhej të ndihej i shpaguar sot por se ndihet keq dhe i trishtuar për gjendjen ku kemi përfunduar si shoqëri, si popull. Por Basha theksoi se ai dhe demokratët nuk do të tërhiqen dhe se ndihen më të sigurt në drejtësinë e kauzës që ndjekin.


“Si njeriu që për gjashtë vjet rresht është përpjekur çdo ditë t’i bëjë njerëzit të shikojnë atë që sot është shpalosur hapur para syve dhe veshëve të gjithë botës, do të duhej që sot të ndjehesha mirë dhe i çliruar nga një barrë e madhe.
Sot, kur nuk ka më njeri që nuk është bindur se i vetmi projekt që ka patur Edi Rama, është plaçkitja e Shqipërisë përmes pushtetit në ortakëri dhe aleancë me çdo keqbërës të mundshëm, nga ata të botës së malavitës tek ata të botës së mercenarëve publikë;
Sot, që çdo njeri e ka kuptuar se Edi Rama ka ardhur në pushtet dhe e ka mbajtur pushtetin përmes bashkëpunimit me krimin për të blerë, frikësuar, dhunuar dhe ndëshkuar qytetarët, me qëllim manipulimin e votës,
Pikërisht sot, unë dhe të gjithë demokratët, duhet të ndiheshim të shpaguar për shpërfilljen, përçmimin, sharjet, sulmet, dhe dhunën e padrejtë që është derdhur mbi ne nga të gjitha anët, që nga nga qeveritarët e korruptuar tek interesaxhinjtë, servilët dhe mercenarët e tyre por edhe nga naivët, edhe të pafajshmit dhe të paanshmit që nuk shikonin dot atë që shikonim ne.
Por unë sot ndjehem keq dhe i trishtuar. Ndihem keq për gjendjen ku kemi përfunduar si shoqëri, si popull.Jam i trishtuar, sepse sot një votë kushton 4 mijë lekë në pazarin e mosbesimit dhe tradhËtisë që politika i ka bërë interesave të njerëzve të thjeshtë”, deklaroi kreu i PD.


Ai theksoi se ky është dënimi më i rëndë që mund t’i bëhet politikës, sepse një politikë që ka humbur besimin e njerëzve ka humbur çdo gjë.

“Ky është dënimi më i madh që mund t’i bëhet një shoqërie, sepse kur politika nuk është më mjet në duart e njerëzve, do të thotë se në atë shoqëri nuk ka më liri dhe demokraci. Së dyti, jam i trishtuar nga niveli ku ka përfunduar shteti i shqiptarëve: Sot shteti është një lukuni banditësh qëllimi i vetëm i të cilëve është plaçkitja dhe dhunimi i njerëzve, për t’u mburrur dhe gëzuar pastaj në gostitë e financuara me plaçkën e vjedhur. Në këtë shtet, edhe nëse ka njerëz të ndershëm, ata dhunohen, çnderohen dhe vihen përditë para zgjedhjes fatale, ose të bëhen hajdutë për partinë ose të flaken në rrugë. Është tragjike për një komb kur mësuesit e tij kthehen nga edukatorë të së ardhmes, në hajdutë votash. Është tragjike për një shoqëri, kur polici shtërngohet të kthehet në një keqbërës skutash për të ruajtur bukën e gojës së fëmijëve”, u shpreh Basha.

Sipas tij, në Shqipëri, një qeveri e mbushur me kriminelë i ka marrë dinjetin, nderin dhe kurajon çdo shqiptari, duke e kërcënuar me bukën e gojës.

“Në tokën e mosbesimit ndaj politikës, të politikës grabitqare që ka braktisur interesin publik, në tokën ku ka humbur dinjiteti dhe liria e njeriut, mund të lulëzojë vetëm e keqja, krimi, dhe korrupsioni. Në këtë tokë nuk mund të ketë as mundësi dhe as shpresë për njerëzit e thjeshtë. Kjo është kriza ku ne gjendemi sot. Ky është dëshpërimi që ndjejnë shqiptarët që po i çon ata përditë dejt rrugëve të migrimit”, theksoi ai.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb