Ish-kryeministri Sali Berisha hodhi akuza disa ditë më parë në adresë të deputetit të PS, Pandeli Majko të cilin e quajti “kriminel elektoral”. Berisha tha gjithashtu se Majko është përgjuar nga SHISH me vendim gjykate dhe se dosja ndaj tij ndodhet në SPAK.
Por në Prokurorinë e Posaçme, për socialistin nuk ka asnjë dosje në ngarkim.
Në një reagim për gazetaren e News24, Klodiana Lala, SPAK mohon të ketë material kallëzues apo procedim për deputetin socialist.
Reagimi i SPAK për gazetaren e News24, Klodiana Lala:
Pas verifikimeve të kryera në Regjistrin e Kallëzimeve Penale dhe Regjistrin e Protokollit në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk rezulton asnjë material kallëzues apo procedim penal në ngarkim të shtetasit Pandeli Majko.
Çfarë tha Berisha për Pandeli Majkon
Gjatë një konference për shtyp të hënën në selinë e PD-së, pas daljes nga SPAK, Berisha hodhi akuza ndaj Pandeli Majkos. Po atë ditë u mësua se Majko, nuk do të ishte më drejtues qarku politik i PS-së në Kukës por do të drejtojë një nga zonat e Tiranës. Berisha e cilëson Majkon si një ‘kriminel elektoral’ në Kukës, Has e Tropojë. Ai tha se socialisti është përgjuar nga SHISH me vendim gjykate ku sipas tij në vëzhgim mbaheshin disa trafikantë droge. Berisha tha gjithashtu se dosja për Majkon ndodhej në SPAK.
“Pandeli Majko duke si ashtu, por është kriminel i madh elektoral në Kukës. I regjistruar në tavolinë me regjistrues të vendosur me vendim gjykate nga shërbimi informativ kombëtar jo për Majkon por për trafikant që mblidheshin aty. Aty shkon dhe zoti Pandeli, dosja është tek ata por edhe tek unë. Shkon Pandeliu me Alban Çelën dhe drejtorin e OSHE së Kukësit, ti i thotë drejtori në Has të kërkoj shtyllat centrifugale. Do i marrësh në një kompani buzë Erzenit. Do faturohen 800 mijë euro, 300 mijë do i dërgohen Tropojë për të blerë vota, 200 mijë në Durrës, tjerat në Kukës. Oficeri i cili ishte në detyrë për të hedhur në qark trafikantët habitet. Në bisedë aty përfaqësuesit e Hasit kërkojnë armë, se Miftar Dautin nuk e mundin dot. Ky oficer, njeri i ligjit e merr regjistrimin përgatit dosjen dhe e dorëzon në SKAP.
Vlora Hyseni që vodhi arkivën e shërbimit sekret të Kosovës, dhe e çoi dyshohet në Beograd refuzon ta pres oficerin. Dhe oficeri mbetet jashtë shërbimit dhe sot nuk e di se ku është. Ky është Majko. Shkoi përsëri në vendin e krimit por duket se e kanë parë që aty nuk e pëlqejnë dhe e ka sjellë në Tiranë. Po sjell gjysmat e ministrave në Tiranë. Qytetarët e Tiranës kanë një revoltë të jashtëzakonshme me lal vjedhësin, njeriun më të shpifët që ka patur ndonjëherë bashkia e Tiranës”.
Majko kërkesë SHISH-it pas akuzave të Berishës
Deputeti i PS Pandeli Majko ka dërguar një shkresë në Shërbimin Informativ Shtetëror, SHISH, në lidhje me akuzat në drejtim të tij nga lideri demokrat Sali Berisha. Majko kërkon konfirmim zyrtar nga ana e SHISH për pretendimet e Berishës. Kreu i PD tha se Majko “është përgjuar duke bërë pazare elektorale”.
Letra e Majkos është dërguar nga ana e Kuvendit dhe më pas është përcjellë në SHISH. Majko kërkon një përgjigje në mënyrë zyrtare për akuzat që hidhen në drejtim të personit të tij.
(BalkanWeb)