TIRANE- Fill pas akuzave që bëri publike dje ish-kryeministri Sali Berisha se ai kishte kërcënuar dekanin e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Mynyr Konin, policia ka shoqëruar Emiljano Shullazin në orët e mbrëmjes. Shoqërimi i tij është bërë te ‘Rruga e Kavajës’, dhe ai u dërgua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku u mor në pyetje nga drejtori i Tiranës, Ervin Hodaj dhe 4 oficerë të Krimeve.

“Nuk kam kërcënuar askënd. Nuk e njoh atë njeri dhe s’kam lidhje me të”- mësohet të ketë thënë Shullazi në Polici.

Sipas të dhënave paraprake, mësohet se forca të shumta policie kanë kryer kontrolle në shtëpinë e tij, ndërsa ka prani të bluve te zona e “Parkut” dhe “Rruga e Kavajës”. Po ashtu, bëhet e ditur se kontrolle u kryen edhe në banesat e shokëve të Shullazit. Policia nuk dha dje asnjë njoftim zyrtar lidhur me shoqërimin e tij në drejtorinë e policisë. Por, burime policore thanë për “GSH” se rektori aktual i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule ka qenë dje në ambientet e policisë. Ende nuk dihet me saktësi nëse ka pasur denoncim nga zoti Kule apo ai thjesht ka dhënë informacion për ngjarjen.

Ditën e sotme pritet të ketë një komunikim zyrtar nga Policia e Shtetit lidhur me shoqërimin e Shullazit, ndërkohë burime të tjera pohuan se në mesnatë u zhvillua një takim mes Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako dhe kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Gjatë ditës së djeshme, ish-kryeministri Sali Berisha denoncoi publikisht para mediave se Shullazi kishte kërcënuar Konin që të hiqte dorë nga gara për rektor të Universitetit të Tiranës, në të kundërt do t’i merrte peng djalin. Sakaq, gjatë një deklarate drejtuar mediave, akademiku Mynyr Koni pohoi se do të vazhdojë garën për rektor i UT-së, ndërsa nuk përmendi asnjë nga denoncimet e Berishës për kërcënimet që sipas ish-liderit të demokratëve ishin bërë ndaj dekanit.
(ed.me/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb