PRISHTINE- Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka reaguar në lidhje me akuzat e ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiç se ka korruptuar shtet e tjera për të dhënë votën ‘pro’ për anëtarësimin e Kosovës në UNESCo. Në një mesazh në rrjetin social “Facebook” Pacolli deklaron se inkuadrimi i tij në fushatën për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO ishte shumë i vonë. “Siç është bërë e ditur, unë u përfshiva dikur vonë në lobimin për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO”, shkroi Pacolli në Facebook.

Postimi i plotë i Pacollit:
U përfshiva në këtë proces, sepse e ndieja se s’mund të rrija jashtë tij. E ndieja megjithatë se procesi u karakterizua prej një euforie të shpërpjesëtuar me gjendjen në terren, apo dhe me rezultatin e ngushtë në Bordin ekzekutiv të UNESCO. Kam patur vërejtjet e mia për procesinnë përgjithësi dhe për shumë sende të veçanta të këtij procesi. Kam patur mëdyshjet e mia, për një proces në të cilin në rast suksesi, do dilnin shumë meritorë, dhe në rast mosarritjeje, askush nuk do pranonte përgjegjësi. Si ju e dini, në postimet e mia të mëhershme, diçka dhe është kuptuar prej këtyre mëdyshjeve.

U përfshiva me mish dhe me shpirt për suksesin. Duke u përfshirë, unë s’mund të merresha me polemika. Lashë familjen time, punët e mia. Kapërceva mbi shumëçka dhe sipas detyrimit u bëra pjesë e ekipit të shtetit tim. Të gjithë bëmë maksimumin, në atë kohë që u punua, aq sa kanë ditur, aq sa kanë mundur. Zoti e di, kolegët e dinë, sa kam bërë unë. Nuk është në stilin tim politik dhe njerëzor të mburrem, sesa vota janë rezultat i punës time.

Sot kur gongu ka rënë, unë mendoj atë që kam shkruar pak më parë, se ky rezultat është shumë i mirë. Ai u arrit në një klimë euforie të brendshme, në një klimë konfrontimi të fortë midis blloqeve të shteteve, në kushtet e pabarazisë së mjeteve të shtetit tonë të ri me ato të Serbisë. Lufta diplomatike vazhdon dhe çdo votim si ky është një mësim shumë i mirë.

E tash pas një pune të jashtëzakonshme të gjithë ekipit, po më bien mbi veshë thuajse të sinkronizuar, apo të njëzëshëm, tupanat e gojëndyrëve, injorantëve të diplomacisë në Prishtinë, me ato të do dirigjentëve të propagandës serbe në Beograd. Sipas të parëve, unë qenkam analfabet dhe kam dështuar; sipas të dytëve, unë i kam bërë presion delegacioneve në UNESCO, madje jam përpjekur t’i korruptoj. Serbët i kuptoj. Sipas një qasjeje propagandistike, serbët u munduan të na paraqisnin se ne bënim një luftë të pandershme dhe të papastër, ndërsa ata luftonin për drejtësinë dhe të vërtetën. Po këta diplomatët e çajtoreve apo pijetoreve të Prishtinës, çfarë i shtyn, akoma nuk e kam kuptuar?

A kanë të drejtë të dy palët, që s’kanë turp pse sot janë të dyja bashkë? Si thoni ju, kush ka të drejtë?
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: