TIRANE- Fill pas akuzave të deputetes së Partisë Demokratike, ka reaguar Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, duke theksuar se auditi është kryer në vitin 2016 në degën e Tiranës, ndërsa ky institucion theksoi se skandali u kap në kohë dhe se u pushuan nga puna 7 punonjës të DRFSDKSH-së.

Në njoftimin për media, thuhet se FSDKSH-së me Urdhrin nr.3666/1,datë 09.11.2015, është ngritur grupi i punës për të ushtruar kontrolle në DRF Tiranë me objekt: Vlerësimin e aktivitetit të DRFSDKSH Tiranë për periudhën qershor-tetor 2015.

“Nga strukturat e auditit tonë të brendshëm kemi konstatuar se janë lëshuar receta me rimbursim për produktin NeuraAID II MLC901 për kategorinë e veteraneve dhe invalidëve të luftës. Kjo kategori në bazë të legjislacionit dhe akteve nënligjore në fuqi ka të drejtën të përfitojë barna falas për trajtim ambulator të sëmundjeve kronike si brenda listës së barnave me rimbursim ashtu edhe jashtë saj. Në këto kushte duke konstatuar parregullsi qoftë në lëshimin, ekzekutimin dhe rimbursimin e recetave për këtë kategori lidhur me produktin NeuraAID II MLC901, Drejtoria e Auditit të Brendshëm në FSDKSh në raportin final të evadimit të masave organizative, disiplinore, administrative, dhe zhdëmtuese, me nr.3666/3, datë 03.03.2016 i ka bërë prezent këto masa DRFSDKSh-së Tiranë, e cila menjëherë ka nisur zbatimin e tyre.
Këto masa të cilat tashmë janë ekzekutuar, konsistojnë në:
a. Nxjerrjen e akteve administrative për rikuperimin e dëmit financiar të shkaktuar.
b. Masat administrative dhe të karakterit disiplinor për të gjithë zinxhirin e individëve që rezultojnë të përfshirë në këtë fenomen.
c. Marrjen e masave disiplinore për largimin nga puna për 7 punonjës të DRFSDKSH-së Tiranë.
d. Dërgimin e dosjes pranë autoriteteve ligjzbatuese për të thelluar hetimin dhe nxjerrjen e përgjegjësve.”, citohet në reagimin e FSDKSH-së.

Më tej në reagim thuhet se: “Për të pasur një tablo më të qartë të situatës në DRFSDKSh Tiranë Drejtorja e Përgjithshme e FSDKSH-së, znj, Vjollca Braho në fillim të muajit prill ka ngritur grupin e punës dhe ka urdhëruar që për periudhën janar 2015- 31 mars 2016, të ushtrohet kontroll mbi të gjithë aktivitetin e kësaj drejtorie. Paralelisht me këtë proces janë hartuar programet e punës për të ushtruar kontroll në të gjitha Drejtoritë Rajonale të FSDKSh-së në të gjithë vendin. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor rikthekson edhe njëherë se janë strukturat e tij të brendshme që kanë konstatuar dhe marrë masat e nevojshme duke e referuar rastin e fenomenit abuzues me produktin NeuraAID II MLC901 pranë organeve ligjzbatuese. Gjithashtu, Fondi garanton se do të ushtrojë gjithë kompetencat dhe autoritetin e njohur nga ligji në funksion të misionit të tij për të garantuar administrimin e skemës së sigurimit të detyrueshëm shëndetësor, duke synuar mbulimin e popullsisë në përfitimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor si në sektorin publik dhe atë privat, të menaxhojë burimet financiare, të zhvillojë skemën e sigurimeve shëndetësore me qëllim që të siguruarit të marrin shërbime sa më cilësore dhe në përputhje me nevojat reale.”.

Ditën e sotme, deputetja Albina Deda pohoi se dëmi i shkaktuar nga abuzimi me medikamentin Neuro Aid, i cili është një suplement i pa regjistruar në Shqipëri llogaritet në vlerën 40 milionë lekë. “Dëmi nga abuzimi llogaritet në 40 milionë lekë. Në skandalin e radhës janë 4 farmaci në kryeqytet në pronësi të ish-drejtuesve të të FSDKSH. Medikamenti, u rimbursua për veteranë pa qenë në listë”, theksoi Deda.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: