TIRANË- Deputeti socialist Pjerin Ndreu ka reaguar pas akuzave të opozitës se deputetë të PS dhe kryeministri Edi Rama kanë lidhje me të arrestuarin nga policia greke për trafik droge Edmond Bego.
Ndreu e quan të lajthitur PD-në dhe thotë se Begos iu ul dënimi nga 21 në 4 vjet, duke akuzuar opozitën për lirimin e tij. Sipas deputetit socialist “ishte njeriu i Berishës në Gjykatën e Lartë” që e liroi.
“Më të lajthitur se kaq s’ke ku gjen”, shkruan Ndreu për opozitën.
Edmond Bego u arrestua dje nga shërbimet e policisë të Igumenices, në bashkëpunim me sektorin e kontrollit te pasaportave të Sajadhes. 48-vjeçari po kthehej nga pushimet në Korfuz dhe përmes Igumenicë do të kalonte për në Shqipëri.
Bego kishte ndërruar emrin në pasaportë në Mond Bega dhe me këtë emër kishte kaluar nga Shqipëria në Korfuz. Edmond Bego rezulton i kërkuar nga autoritetet italiane për pjesëmarrje ne organizate kriminale për trafik kokaine dhe heroine.
48-vjeçari njihet si miku i Aldo Bares dhe rezulton me disa emra të tjerë si Edmond Bego, Saimir Sina dhe Belul Gjahtari.
STATUSI I PJERIN NDREUT
Lajthitja totale e një force politike që quhet PD është evidente. Ndërsa bëjnë opozitë, shfaqin simptoma të rënda në interpretimin e ngjarjeve të ndryshme. Të ngërthyer në mllefin ekstrem kundër Edi Ramës u është errur logjika dhe nuk dinë çfarë thonë! Në pamundësi totale për të përballuar forcën e lidershipit të PS, dalin në konferenca shtypi e çfarë nuk thonë.
Rasti i një të ashtuquajturi Mond Bega që na qenka arrestuar në Greqi sipas PD përbën arsye për t’ju vërsulur qeverisë, Edi Ramës dhe Taulant Ballës se paskan ndihmuar këtë të dënuarin! Po mirë PS paska ndihmuar Mondin sipas Palokës, të mos kapet, po në Gjykatë kush e ndihmoi që konvertoi dënimin nga 21 në 4 vjet? Ndërsa PS paska lidhje me Mondin, lidhjen me kryesuesin e kolegjit Penal në Gjykatën e Lartë, njeri i afërt i Berishës dhe i zgjedhur prej tij kush ja bëri?!
Sipas suflerëve të trullosur të PD miqtë e tyre i lehtësuan dënimin dhe e lanë të lirë në gjykatë, ndërsa në PS kanë faj se nuk e kapi policia! Zotërinj, ju rroftë kontributi ju dhe derivateve tuaj në Gjykatë për ta liruar nga dënimi.
Aq më keq kur dhe vetë autoritetet greke e kanë liruar pasi ka treguar pikërisht konvertimet e dënimeve të pjellave tuaja në gjykatë! E kuptoni sa të lodhur jeni, e lironi vetë dhe dilni në foltore e fajësoni të tjerët! Për çfarë kapet tjetri që ka ezauruar dënimin me konvertimin e gjykatës e gjykatësve PD-iste?! Më të lajthitur se kaq s’ke ku gjen! Të fala nga selia e PD së përhumbur!
(m.k/BalkanWeb)