TIRANE

Partia Demokratike ka akuzuar kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj se po përgatit dy afera të mëdha korruptive: dhënien me koncesion të parkimeve në Tiranë dhe grabitjen e tokës publike tek Policia Bashkiake për interesa privatë.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD-së Ina Zhupa tha sfera e parë është dhënia me koncesion tek një firmë private e mbledhjes së të ardhurave nga parkimet me pagesë në Tiranë. Sipas PD, për të rrjepur më shumë nga lekët qytetarët e Tiranës, Erion Veliaj do të vendosë disa pajisje për prerjen fizike të biletës dhe ky shërbim do të paguhet ekstra nga qytetarët tek firma private që ka përzgjedhur Veliaj.

Por nga ana tjetër Bashkia e Tiranës ka përgënjeshtruar deklaratat e bëra nga PD. Bashkia e cilëson si një lajm abuziv dhe të pavërtetë, ndërsa sqaron se nuk ka për qëllim të privatizojë apo të japë me koncension shërbimin e parkimit në kryeqytet.

DEKLARATË E INA ZHUPA

Erion Veliaj po përgatit dy afera të mëdha korruptive përpara se të lëshojë zyrën e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Afera e parë është dhënia me koncesion tek një firmë private e mbledhjes së të ardhurave nga parkimet me pagesë në Tiranë. Për të rrjepur më shumë nga lekët qytetarët e Tiranës, Erion Veliaj do të vendosë disa pajisje për prerjen fizike të biletës. Ky shërbim do të paguhet ekstra nga qytetarët tek firma private që ka përzgjedhur Veliaj.

Ky është një plan i hershëm i Erion Veliajt për të zhvatur para të tjera nga xhepat e qytetarëve, plan i cili do të miratohet nesër me votat e paligjshme të Këshillit Bashkiak. ​

Qytetarët e Tiranës nuk meritojnë shndërrimin e Tiranës në një qytet të pajetueshëm, ku parkimi i makinës është kthyer në nje ferr, për të cilin duhet të paguash akoma më shtrenjtë për koncesionin e Erion Veliajt.

Afera e dytë korruptive është e ngjashme me atë të Teatrit. Synon të vjedhë pronën publike për t’ia dhënë një firme private për ndërtim. Bëhet fjalë për një pronë të Bashkisë tek Policia Bashkiake, në rrugën e Kavajës, të cilën Veliaj ia ka premtuar një prej klientëve të tij. Por ky vendim nuk është në rendin e ditës së Këshillit bashkiak nesër, sepse Erion Veliaj nuk ka 38 votat që i duhen për të bërë pazar me pronën publike.

Partia Demokratike e dënon këtë politikë të neveritshme që synon grabitjen e pasurive publike dhe të taksave të qytetarëve të Tiranës për interesa korruptivë të Erion Veliajt.

Vendimi i Partisë Demokratike është i pandryshueshëm! Këshilltarët tanë do të vazhdojnë të mos marrin pjesë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak, duke mos u bërë pjesë e blerjes së votave nga Erion Veliaj për projekte që grabisin pronën publike.

Vendime të tilla korruptive, kundër interesit publik, janë një nga arsyet pse Transparency International e renditi ketë vit Shqipërinë si vendin më të korruptuar të Europës.

Vendimet e Edi Ramës dhe Erion Veliajt për të grabitur qytetarët dhe për të pasuruar me taksat tona disa klientë privatë janë arsye e mjaftueshme që organizata më e specializuar në luftën kundër korrupsionit ta rendisë Shqipërinë 8 vende më poshtë, duke na klasifikuar si vendi më i korruptuar në rajon dhe në Europë.

Protesta e datës 16 Shkurt është një mundësi që çdo qytetar i Tiranës të bashkohet me ne për t’i dhënë fund modelit të neveritshëm të hajdutëve Rama-Veliaj! Së bashku të vendosim për një model të ri, që nuk është në shërbim të disa klientëve privatë të kryeministrit dhe kryebashkiakut, por në shërbim të qytetarëve dhe interesit më të mirë publik!

REAGIMI I BASHKISË SË TIRANËS:

Bashkia e Tiranës vëren me keqardhje se Partia Demokratike përhapi sot qëllimisht një lajm abuziv dhe të pavërtetë lidhur me mënyrën e administrimit të parkimit në qytet nga Tirana Parking.

Në respekt të informimit të drejtë dhe transparent të qytetarëve të saj, Bashkia e Tiranës dëshiron të theksojë se Vendimi i Këshillit Bashkiak “Për një shtesë në vendimin Nr 49, datë 11.11.2015 “Për miratimin e kritereve të përcaktimit të zonave të administrimit të parkimit dhe nënzonave të destinuara për parkim, si dhe tarifave të shërbimit të parkimit të administruar nga Bashkia e Tiranës, të ndryshuar”, i cili pritet të diskutohet në mbledhjen e nesërme të Këshillit Bashkiak të Tiranës, nuk ka për qëllim të privatizojë apo të japë me koncesion shërbimin e parkimit në kryeqytet, siç dezinformoi qëllimisht sot Partia Demokratike.

Siç shprehet qartë edhe në relacionin shoqërues të VKB-së, aktualisht qytetarët e Tiranës e paguajnë parkimin përmes dy opsioneve: asaj me sms nga telefoni i tyre dhe direkt te inspektori përkatës i Tirana Parking. Por, jo të gjithë qytetarët kanë mundësinë për të patur kredit të mjaftueshëm në telefonat e tyre për kryerjen e pagesës, e për pasojë ata kanë kërkuar me të drejtë metoda të tjera alternative për kryerjen e pagesës së shërbimit të parkimit.

Për këtë arsye, por edhe nga nevoja për t’u krijuar lehtësi shërbimi qytetarëve të saj, Bashkia e Tiranës ka propozuar vendosjen e pajisjeve vetëshërbyese (automatë) dhe aplikacione të ndryshme, në vendet e destinuara për parkim, të cilat mund të punojnë gjatë periudhës kur shërbimi i parkimit është aktiv, si një metodë e thjeshtë dhe efektive për verifikimin e tarifës së parkimit, njësoj si në çdo vend tjetër perëndimor. Ashtu siç funksionon edhe sot, pagesa që do të kryhet përmes këtij shërbimi do të kalojë 100% për llogari të Bashkisë së Tiranës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: