TIRANE– Ministria e Shëndetësisë ka reaguar pas deklaratave të Partisë Demokratike. Paraditen e sotme, deputeti i PD, Bardh Spahia deklaroi sot se nuk është vetëm Ministria e Arsimit që urdhëron mësuesit t’u marrin prindërve të dhënat personale, numrin e kartës së identitetit, telefonit dhe email.

Ai tha se edhe Ministria e Shëndetësisë ka shpërndarë një email të njëjtë me atë te Ministrisë së Arsimit, ku urdhëron mjekët të mbledhin të dhënat personale të pacientëve në qendrat shëndetësore.

“Njësoj si në rastin e Ministrisë se Arsimit, edhe këtu kërkohet që operacioni të kryhet me urgjencë dhe Ministria e Shëndetësisë t’i disponojë të dhënat brenda këtij muaji”, deklaroi deputeti i PD, duke shtuar se ky urdhër shkel haptazi Kushtetutën dhe disa ligje të tjera që mbrojnë nxënësit, pacientët dhe të dhënat personale te qytetarëve.

Ai i kërkoi Komisionerit për Mbrojtjen e të dhënave personale që të ndërhyjë menjëherë për të nxjerrë para drejtesisë shkelësit e ligjit.

Në një reagim për mediat, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale sqaron se kërkesa për plotësimin e të dhënave nga strukturat shëndetësore për përfituesit e shërbimeve shëndetësore, ka si qëllim vendosjen e një standardi të ri, që rrit transparencën dhe llogaridhënien, me synim përmirësimin e cilësisë së shërbimit për qytetarët.

“Në reagim të deklaratës së PD, MSH thekson se “përkundër spekulimit politik të radhës të opozitës, ky proçes nuk ka asnjë qëllim tjetër, veç plotësimit të databazës ekzistuese të të dhënave shëndetësore për pacientët, një standard ndërkombëtar për çdo sistem shëndetësor”.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i sjell në vëmendje opozitës, në rastin më të mirë, të paditur, se me reformën e deregulimit që ka ndërmarrë qeveria, karta e identitetit ka zëvendësuar kartën e shëndetit ndaj përmes NID identifikohet qytetari për kategorinë shëndetësore që i përket dhe shërbimet që përfiton në të gjithë sistemin tonë shëndetësor.

Programi i shëndetësisë elektronike është një proçes që nuk do të ndalet pasi rrit transparencën, shmang abuzimet dhe lehtëson qytetarët nga burokracitë në marrjen e shërbimeve në kohë dhe me cilësi.

Përdorimi i të dhënave personale mbrohet me ligj dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale garanton mbrojtjen e këtyre të dhënave”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb