TIRANE – Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me akuzat e Partisë Demokratike se në Policinë e Korçës është emëruar një oficer i dënuar.

Policia e Shtetit sqaron se komisari Nardi Neli është emëruar në detyrën Shef Sektori në Sektorin Kundër Trafiqeve dhe Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë Vendore Korçë, datë 05.12.2012 dhe në muajin Prill të vitit 2013 është emëruar Shef Seksioni Kundër Trafiqeve po në këtë Sektor.
Policia e Korçës me të marrë dijeni se ndaj këtij oficeri, Prokuroria kishte nisur procedim penal ka bërë menjëherë pezullimin e tij nga detyra.
Ndërkohë Drejtoria e Policisë së Shtetit i ka kërkuar me shkresë disa herë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë që të sjellin vendimin e dënimit dhe deri sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje.

INFORMACIONI I PLOTË I POLICISE PËR KOMISAR NARDI NELI
Komisar Nardi Neli është emëruar në detyrën shef Sektori në Sektorin kundër trafiqeve dhe narkotikëve në Drejtorinë e Policisë Vendore Korçë, me urdhër nr. 115/1 datë 05.12.2012. Me urdhër nr. 990 datë 29.03.2013, është emëruar Shef seksioni ai dhe specialist në Seksionin kundër trafiqeve të paligjshme në Drejtorinë e Policisë Vendore Korçë.

Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë me shkresën nr. 124 datë 14.07.2015 i ka kërkuar komisariatit të Policisë Korçë ndjekjen e procedurës së kërkimit ndaj disa shtetasve: “Për trafik të paligjshëm të lëndëve narkotike”, ndërsa për punonjësin e policisë Nardi Neli për veprën penale “Zbulimi i akteve apo të dhënave sekrete”.

Mbi bazën e kësaj shkrese të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, Drejtoria e Policisë së Shtetit me aktin administrative nr. 682 datë 16.07.2015 ka filluar ecurinë disiplinore ndaj punonjësit të policisë Nardi Neli.
Më datë 30.07.2015, Drejtoria e Policisë së Shtetit, me shkresën nr. 1008/1, i ka kërkuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë informacion mbi ecurinë e procedimit penal në ngarkim të punonjësit të policisë Nardi Neli.
Me shkresën nr. 1857/1 datë 28.09.2015, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, i kthen përgjigje Policisë së Shtetit se aktet e këtij procedimi penal janë dërguar për gjykim në Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.
Më datë 07.10.2015, me shkresën nr. 1008/6, Drejtoria e Policisë së Shtetit i ka kërkuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, informacion më të detajuar mbi mënyrën e përfundimit të procedimit penal në ngarkim të punonjësit të policisë Nardi Neli.
Më datë 20.10.2015, me shkresën nr. 1008/7, Drejtoria e Standarteve Profesionale pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit ka bërë pezullimin e hetimit disiplinor në ngarkim të punonjësit të policisë Nardi Neli, bazuar në nenin 225, pika a të Rregullores së Policisë së Shtetit, miratuar me Vendim të KM nr. 750 datë 16.09.2015.
Theksojmë se deri tani nuk është kthyer asnjë përgjigje nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës të Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë mbi përfundimin e procedimit penal në ngarkim të punonjësit të policisë Nardi Neli.
Në këto kushte, bazuar në kërkesat e nenit 4 dhe 462 e vijues të Kodit të Procedurës Penale si dhe të nenit 225, pika a të Rregullores së Policisë së Shtetit, Policia e Shtetit nuk mund të procedojë për përjashtimin nga polica të punonjësit të policisë Nardi Neli, pa një vendim gjyqësor të formës së prerë dhe lëshimin e urdhrit të ekzekutimit nga ana e organit të prokurorisë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: