TIRANË-Akuzat e Tom Doshit kanë dërguar sot në organin e akuzës, Prokurori, edhe deputetin e PD Mhill Fufi. Në një prononcim për mediat, Fufi shpjegoi se i qëndron deklaratave të bëra në media pak ditë më parë, ku theksonte se nuk kishte dijeni mbi informacionet per vrasjen e tij. Fufi theksoi sot se ka lënë drejtësinë të bëjë punën e vet.

“Dhamë përgjigje para prokurorit për cfarë ka ndodhur. Nëpërmjet medias e kam dhënë njëherë një deklaratë dhe i qëndroj asaj deklarate. Të lemë drejtësinë të bëjë punët e veta”, u shpreh Fufi.

DEKLARATA E MEPARSHME E FUFIT
Në datën 4 Mars, deputeti i PD-së Mhill Fufi “theu” heshtjen për herë të parë duke komentuar deklaratat e Tom Doshit se kreu i Kuvendit Ilir Meta ka porositur vrasjen e tij dhe deputetit Doshi.

Fufi shprehet se askush nuk e ka lajmëruar atë 6 muaj më parë për ekzistencën e një plani për eliminimin e tij fizik dhe jo më t’i ofrohej mbrojtje fizike.

“Edhe pse rezulton se Kryeministri, Kryetari i Parlamentit dhe Ministri i Brendshëm paskan pasur informacion prej 6 muajsh për një plan të eliminimit tim fizik, unë nuk jam thirrur dhe as nuk jam informuar nga asnjë organ apo institucion për këtë skenar. Në këto kushte, hedh poshtë trillimet e bëra nga deputetë të caktuar dhe nga Kryetari i Kuvendit, sipas të cilëve më është ofruar mbrojtje fizike”, thotë deputeti.

Ai shtoi më tej se, “Eshtë shpifje e ulët edhe aludimi sikur në këtë skenar qenkan përfshirë njerëz të afërt me ish-kryetarin e Partisë Demokratike”

Deputeti i djathtë kërkon që drejtësia të hedhë dritë mbi këtë ngjarje të rëndë pa u influencuar politikisht. “I bëj thirrje drejtësisë të zbardhë sa më shpejt ngjarjen dhe të vërë para ligjit përgjegjësit. Ngjarja është shumë e rëndë dhe kërkon një hetim të thellë objektiv dhe të painfluencuar nga klanet e pushtetit”.

Mhill Fufi, u bë deputet i qarkut të Lezhës pas dorëheqjes së Vasil Bicaj. Ai është një prej personave për të cilët deputeti Tom Doshi tha se është dhënë porosia për t’u vrarë. Në zgjedhjet e qershorit 2013, Mhill Fufi mbeti i plagosur pas një konflikti me armë në Laç.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: