TIRANE– Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, ishte i ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24, ku ka folur për akuzat e qeverisë pas shkrimit të revistës “Mother Jones” në lidhje me financimin rus të PD. Ristani i konsideroi akuzat për lobimin rus si furtunë në një gotë uji që bëhen për të larguar vëmendjen nga droga. Ai tha se ka pasur një kontratë lobimi me një shoqëri amerikane, por çdo gjë është e ligjshme dhe e bërë publike.

“Akuzat për lobimin rus janë furtunë në një gotë uji. Ka pasur një kontratë me një shoqëri amerikane dhe është bërë sipas ligjit e cila është bërë publike dhe të ardhurat kanë kaluar përmes bankës. Kjo histori është një thashellemnajë. Qeveria do të heqë vëmendjen nga problemi i drogës. Që në nëntor të vitit të kaluar unë kam kërkuar nga Prokuroria që të thellohen hetimet drejt këtij procesi dhe të ketë transparencë për publikun në lidhje me këtë çështje”- tha Ristani, raporton BalkanWeb.

Ristani ka komentuar edhe kapjen sasisë rekord të kokainës në Durrës, ndërsa u shpreh se Rama është koka e drogës dhe krimit.

“Unë nuk e di kush është peshku i madh, por unë di që çdo gjë të çon tek qeveria Rama. Qeveria është e lidhur me krimin dhe drogën. Rama është koka e krimit dhe drogës. Jemi në një situatë shqetësuese dhe Ramës i duhet të mbrojë Tahirin”- tha ai.

Ndërkohë sa i përket mbledhjes pyetjes për mbledhjen e kryesisë së PD dhe ndryshimeve në statut, Ristani tha se ndryshimet bëhen për të forcuar PD dhe për të bërë strukturën më aktive.

“PD doli në një humbje dhe shkaqet ndikim i drogës dhe krimit. Jemi në kushtet kur edhe mandatet e të zgjedhurve tanë vijnë drejt përfundimit dhe ka dalë nevoja për disa ndryshime ne statut që struktura të bëhet më aktive dhe t’i përgjigjet qytetarëve. Po përpunojmë ndryshimet dhe po marrim opinion edhe nga ata që janë kundër. Unë kam pasur takim me Patozin, Imamin dhe ne duam që të bashkëpunojmë të gjithë që ta sjellim PD në pushtet sepse kjo është e mirë për popullin”- tha Arben Ristani.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb