Në emisionin ‘Open’ në News24 është debatuar lidhur me SPAK, i cili përgjatë 2024 ka bërë disa goditje penale në nivele të larta apo ka nisur hetimet për disa nga funksionarët e lartë.

Silva Caka nga PL tha se goditjet që SPAK ka bërë në rradhët e mazhorancës nuk e kanë kurrë impaktin apo peshën politike me goditjet që kanë bërë në rradhët e opozitës. Në këtë kuadër, Caka tha se Jurgis Cyrbja, Ervis Berberi, Plarent Ndreca, nuk mund të krahasohen kurrë si peshë politike as me Sali Berishën dhe as me Ilir Metën.

“Ndaj Berishës dhe Metës kemi akuza politike. Korrupsioni duhet hetuar, por prioritetet duhet të ketë ndaj atyre që janë në pushtet. Mesazhi i pandëshkueshmërisë jepet duke goditur ata që janë në pushtet. Në momentin që të vijnë dokumentet, ka pronarë në arrati, vazhdojnë të paguhen paratë, atëherë nëse do të goditej do të parandaloheshin ato pagesat”, tha Caka.

Por gazetarja Klodiana Lala duke iu referuar akuzave të Sali Berishës dhe Ilir Metës që e kanë konsideruar SPAK-un një organizatë kriminale, e pyeti Cakën nëse edhe ajo e cilësonte apo e konsideronte Prokurorinë Speciale si organizatë kriminale?

Caka tha se në momentin kur ky institucion çon mesazhe të koduara mafioze, atëherë nuk është asgjë më shumë se një organizatë terroriste kriminale. “Shikoni mesazhet që kanë përcjellë, Ilir Meta e ka thënë hapur që i kanë sjellë mesazhe që të largohet nga Shqipëria, njëlloj si Arben Ahmetaj”, tha Caka.

Por gazetarja Lala e pyeti sepse nuk e kanë denoncuar një akt të tillë me mesazhe mafioze, ndërsa Caka tha se “nuk është ajo që bën denoncimet”.

Analisti Agim Baçi tha se nëse ka pasur mesazhe mafioze sikundër pretendohet, nuk duhet lejuar një gjë e tillë. “Absolutisht të papranueshme, pse nuk janë denoncuar, pse nuk ka depozituar kallëzimet”, tha Baçi.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb