Bashkia e Tiranës sqaron se në gjurmën e lumit Lana, në pjesën perëndimore të qytetit, nga ura e shkollës Teknologjike deri ku kryqëzohet me Unazën e Re, nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi dhe se Plani i Përgjithshëm Vendor i qytetit të Tiranës nuk ka ndryshuar.

 Drejtoresha e Drejtorisë së Kontrollit të Zhvillimit të Territorit në Bashkinë e Tiranës, Frida Pashako, shprehet se projekti për disiplinimin e lumit të Lanës bëhet nga inxhinierë hidroteknikë dhe se në këtë zonë nuk ka asnjë kërkesë për leje ndërtimi nga subjekte private. “Aktualisht, në Bashkinë e Tiranës nuk kemi asnjë kërkesë për leje ndërtimi në këtë zonë. Por, Plani i Përgjithshëm Vendor parashikon zhvillimin e kësaj zone. Prandaj, nga të dyja anët e lumit mund të vijnë kërkesa për të marrë të drejtat e tyre zhvillimore dhe për të ndërtuar. Zona mund të cilësohet aktualisht si informale. Prandaj, krijimi i një infrastrukture të re sjell një zhvillim shumë pozitiv dhe gjithashtu sjell interesimin e zhvilluesve për ta ndërtuar këtë zonë”, sqaron ajo.


Bashkia e Tiranës nënvizon se projekti i disiplinimit të Lumit të Lanës është i parashikuar në Planin e Përgjithshëm Vendor dhe se ai nuk ka asnjë lidhje me projektin tjetër për ndërtimin e Unazës së Re. “Ky projekt nuk ka lidhje me Unazën, janë dy projekte të ndryshme. Të dyja projektet janë të parashikuara në Planin e Përgjithshëm Vendor. Madje, projekti i Unazës ka disa vite që ka nisur, ndaj nuk mund të themi janë dy projekte të lidhura”, vijoi Pashako.


Gjithashtu, nisur edhe nga deklarimet e opozitës, Bashkia e Tiranës shpjegon se nuk ka asnjë ndryshim në Planin e Përgjithshëm Vendor që është miratuar në vitin 2017. Sipas Drejtoreshës së Kontrollit të Zhvillimit të Territorit në Bashkinë e Tiranës, deri më tani nuk ka asnjë nismë që të kërkojë ndryshimin e PPV-së së miratuar në 2017. “Plani i Përgjithshëm Vendor, që kemi aktualisht në fuqi, është miratuar në vitin 2017 nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Si hartimi i PPV, ashtu edhe ndryshimi i tij, kërkon një proces shumë të gjatë, ndërinstitucional dhe kërkon aprovime në nivele të ndryshme. Aktualisht nuk kemi asnjë nisme për të ndryshuar Planin e Përgjithshëm Vendor të Tiranës”, theksoi Pashako. 


Lumi Lana (2)
Lumi Lana (2)

Bashkia e Tiranës hedh poshtë çdo pretendim dhe imazh grafik të paraqitur nga opozita për devijimin e vijës së Lumit të Lanës. Pashako thotë se Plani i Përgjithshëm Vendor nuk përcakton gjurmën ekzakte të një rruge apo të një vije ujore, por jep vetëm drejtimet, konceptet kryesore për këto zhvillime. “Imazhet që mund të kemi parë nuk kanë në konsideratë projektin teknik, i cili është i bazuar në një studim të mirëfilltë dhe analizë të territorit, dhe i hartuar nga ekspertë të fushës. Për të përcaktuar ekzaktësisht gjurmën e një rruge apo të një vije ujore, është e nevojshme të kryhen analizat teknike të territorit, të kryhet rilevimi teknik, të kryhet studimi hidroteknik. Vetëm pasi kemi bërë këto, inxhinierët kanë mundësi të hartojnë projektin definitiv dhe teknik. Ky projekt teknik është kontraktuar nga Bashkia e Tiranës dhe është miratuar vetëm pasi ka marrë oponencën teknike. Pra nuk është Plani i Përgjithshëm Vendor që përcakton gjurmën ekzakte të një rruge apo të një vije ujore, ai jep vetëm drejtimet, konceptet kryesore për këto zhvillime. Janë vetëm projektet teknike që mund të përcaktojnë ekzaktësisht gjurmën”, u shpreh ajo. 

Lumi Lana (1)
Lumi Lana (1)

Gjithashtu, ajo nënvizon se aktualisht në këtë zonë nuk është kryer asnjë veprim konkret në terren në zbatim të këtij projekti. Sipas saj, zona është e dominuar kryesisht nga ndërtime informale dhe se nuk është bërë asnjë ndryshim. “Nuk ka pasur asnjë ndërhyrje në terren. Lumi vazhdon të jetë në rrjedhën e tij natyrore, ashtu siç ka qenë shumë vite më përpara, kur zona ka qenë rurale. Zona tashmë është transformuar, është ndërtuar me godina informale, por lumi vazhdon në rrjedhën e tij të natyrshme”, tha Pashako.

 Bashkia e Tiranës bën me dije se nuk ka asnjë emergjencë për zbatimin e projektit të disiplinimit të Lumit të Lanës dhe se ajo që mbetet objektiv i saj është realizimi i projektit të zgjerimit të Unazës së Re. “Ky nuk është një projekt imediat. Prioritet është Unaza e Re. Më pas do të vijohet me zbatimin e projektit teknik, për të cilin kemi si objektiv që të minimizohen shpronësimet”, theksoi Pashako. 

Disiplinimi i ujërave të një lumi në territore urbane tashmë të zhvilluara, është shumë i rëndësishëm dhe ka një impakt shumë pozitiv në mjedis e komunitet. Drejtoresha e Kontrollit të Zhvillimit të Territorit theksoi se përmes kësaj vepre madhore, qyteti do të fitojë shumë përmes disiplinimit të rrjedhës së Lumit të Lanës, duke ulur rrezikun e përmbytjeve, por edhe për krijimin e një ambienti pozitiv. 

“Për një qytet, të gjitha punët publike janë shumë të rëndësishme dhe me të drejtë, tërheqin vëmendjen. Gjithashtu, prania e një lumi për një qytet është shumë e rëndësishme. Disiplinimi i ujërave sjell transformimin e hapësirave publike, duke i transformuar ato në vlera për lagjen. Nuk duhet të harrojmë që Lana historikisht ka qenë një shenjë  e rëndësishme në territorin e qytetit dhe ka dhënë drejtimet për zhvillimin. Gjithashtu, polemikat e vitit 2000, debatet që janë ndezur në kohën e administratës Rama për pastrimin e lumit Lana, për zgjatjen e tij deri te Materniteti i Ri, kanë qenë të vazhdueshme dhe shumë të ndezura. Por, është fakt që kjo është një gjë shumë pozitive për qytetin tonë”, u shpreh Pashako.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb