Ish-mjeku personal i Enver Hoxhës Isuf Kalo i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24” tha se është akuzuar nga Liljana Hoxha se ka helmuar diktatorin. Kalo u shpreh se kjo është një akuzë e pavërtetë dhe se Hoxhës i ka shërbyer sa herë ka qenë sëmurë.


“Liljana Hoxha ka thënë se e kam helmuar unë Enver Hoxhën dhe po ashtu edhe Sulo Gradeci. Njëherë jam akuzuar se kam zgjatur jetën e diktaturës, sepse isha mjek i Enverit, kurse tani akuzohem se e paskam helmuar. Enver Hoxha nuk është helmuar, por është shëruar sa herë ka pasur nevojë. Për Enver Hoxhën është bërë gjithçka që të mbahej gjallë”, tha Kalo.


Isuf Kalo u shpreh se edhe gratë, por edhe burrat kishin edhe konkurrencë me njëri-tjetrin se kush mund të ishte më pranë Bllokut, më pranë pushtetit.


“Blloku ishte një vend i vogël, i mbyllur dhe të gjithë merreshin me fjalë, që shiko si vishet ky apo ai. Kjo do të thotë se gratë kishin edhe garën me njëra – tjetrën. Blloku u bë tokë e lakmuar. U bë një ambient, ku djemtë beqar donin të kishin vajza të bukura, sepse kishin favore nëse bëheshin dhëndër aty. Po kështu edhe vajzat e kishin për synim, sepse ndryshonin jetën e tyre dhe të familjes së tyre. Një pjesë e martesave kështu u bë dhe kjo dërgoi në një situatë shumë të vështirë, ku Blloku u shemb dhe shumë nga këta u divorcuan”, deklaroi Kalo.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb