TIRANE

Jo më në parlament, por në sallën e gjyqit. Pikërisht këtu do të përballen kryeministri i vendit Edi Rama me paraardhësin e tij Sali Berisha. Ashtu sikurse kishte paralajmëruar, kreu i qeverisë i është drejtuar gjykatës së Tiranës me shtatë padi për shpifje ndaj ish-deputetit demokrat Berisha.

Burimet thanë se përmes 6 padive, kryeministri kërkon dëmshpërlim moral nga Berisha në shumën e 100 mijë lekëve, duke cilësuar si shpifje deklarimet e ish-liderit demokrat, i cili mes të tjerash e akuzon Ramën për shitjen e detit tek grekët.

Përjashtim bën vetëm njëra padi përmes së cilës Rama kërkon dëmshpërblim 23 mijë dollarë, vlerë që përkon me çmimin e një këmishe, që sipas Sali Berishës, Rama kishte blerë në Amerikë.

Këtë të mërkurë ka nisur kalvari i gjyqeve mes Ramës e Berishës dhe të pakta janë gjasat që të arrihet pajtimi mes tyre, procedurë që iu ofrohet palëve në krye të herës nga gjykata.

Ishin avokatët e ish-kryeministrit të cilët kërkuan shtyrjen e seancës më qellim që të gjitha paditë e bëra ndaj tij, të bashkohen në një të vetme. Gjyqtarja Fida Osmani caktoi datën 11 prill për zhvillimin e seancës së radhës.

Krahas padive kundër Berishës, kryeministri ka depozituar edhe 33 padi të tjera për shpifje, ndaj kreut të opozitës Lulzim Basha dhe disa ish-deputetëve demokratë. Secila padi lidhet me akuzat që këta të fundit  kanë hedhur ndaj kryeministrit, por që Rama i konsideron shpifje dhe kërkon dëmshpërblim moral. Më herët në rrjetin social në FB, Rama ka deklaruar mes të tjerash se paratë e fituara nga këto procese do të shkojnë si investime në shkolla.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb