TIRANE

Me argumentin se pret përgjigjet e letër-porosive nga Gjermania, prokuroria për Krime të Rënda vendosi të zgjasë edhe për tre muaj afatin e hetimeve për Adriatik Llallën, ndaj të cilit rëndojnë dyshime për 4 vepra penale, më e rënda ajo e pastrimit të parave.

Ky veprim i institucionit të akuzës, duket se nuk është pritur mirë nga ish-kryeprokurori, për sa kohë ai i është drejtuar gjykatës për Krime të Rënda, me një kërkesë, nëpërmjet të cilës refuzon zgjatjen e afateve.

Burimet konfirmojnë se Llalla pretendon që prokuroria ka pasur të gjithë kohën e nevojshme për të hetuar dhe dhënë zgjidhjes çështjes së tij. Ai ngre dyshime se dosja e tij po zvarritet pa asnjë shkak, përderisa nuk është thirrur për tu marrë në pyetje, edhe pse procedimi penal është çelur prej më shumë se një viti.

Pavarësisht pretendimeve të Llallës, që synon mbylljen e hetimeve për të, prokuroria nga ana tjetër, thotë se të dhënat që priten nga autoritetet gjermane, lidhur me shpenzimet e kryera nga ish kryeprokurori në këtë shtet, që dyshohet se kapin vlerën e mijëra eurove, janë të rëndësishme për t’i dhënë zgjidhje të drejtë çështjes.

Seanca për shqyrtimin e kërkesës së njeriut për të rëndësishëm të akuzës për pesë vite, pritet të zhvillohet me 3 korrik.
Më herët, ish kryeprokurori, emri i të cilit u rendit në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka dështuar në dy përballje me gjykatën për Krime të Rënda, ku kërkonte pikërisht mos vijimin e hetimeve ndaj tij. Llalla ka humbur gjithashtu edhe betejën për pasurinë, përderisa me vendim gjykate janë nën sekuestro paraprake disa nga pronat në emër të tij dhe familjareve, të cilat kapin vlerën e 1 milionë eurove.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb