SERBI-Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç, tha sot se autoritetet shtetërore do të vlerësojnë akuzën për krime lufte kundër deputetit të partisë së tij, Momir Stojanoviç, por shprehu besimin se ky i fundit nuk është fajtor.

“Unë besoj se akuzat nuk janë aq serioze, por autoritetet do ta hetojnë këtë rast. Unë besoj se Stojanoviç nuk ka bërë asgjë”, u tha gazetarëve kryeministri serb, transmeton Telegrafi.

Siç shpjegoi ai, akuzat janë ndërtuar “për të treguar se disa serbë nga rrafshi politik kanë bërë gjëra të këqija”.

Kujtojmë se Kryetari i Komisionit të Parlamentit të Serbisë për Siguri, ish-gjenerali i Ushtrisë jugosllave, Momir Stojanoviç, përkatësisht zëvendës i Partisë Progresive Serbe të kryeministrit serb Aleksandar Vuçiç, ditë më parë pohoi se urdhër-arresti i Interpolit kundër tij dhe 16 qytetarëve serbë të Gjakovës për krime të luftës, është presioni politik dhe justifikim për themelimin e Gjykatës Speciale të Kosovës.

Akuzat kundër tij i ka ngritur EULEX-i. E gjithë kjo ka ardhur si rezultat i hetimeve të këtij misioni evropian rreth mizorive të kryera të forcave serbe në fshatrat Mejë dhe Orize, si dhe në Rekën e Keqe të Komunës së Gjakovës.
Deklarata e EULEX-it, më 24 prill 2013, tregon se prokurorët e EULEX-it nga Zyra e Prokurorisë Speciale të Kosovës kanë nisur një hetim për krimet e kryera në komunën e Gjakovës më 27 dhe 28 prill 1999, që përfshijnë Mejën, Orizen dhe fshatrat tjera në Rekën e Keqe.

Prokurorët kanë identifikuar deri më tani njëzet të dyshuar, të cilët mund të jenë subjekt i aktakuzës për krime lufte kundër civilëve, përfshirë vrasjet e 372 shqiptarëve, torturimet ose trajtimet çnjerëzore, vuajtjet e mëdha, dëbimet, grabitjet e pronave… Tërë këto krime serbe janë bërë me ndihmën e forcave ushtarake.

Shumica e viktimave janë gjetur në varrin masiv në Batajnicë. Masakra në Mejë dhe rreth saj, konsiderohet si më e madhja gjatë luftës së vitit 1999.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb